TRONDITËSE! Moderatorja e njohur vret me thikë nënën për Halloween

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Wichita të Kansasit, ku ish-prezantuesja televizive Angelynn Mock, 47 vjeçe, dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e saj të moshuar mëngjesin e Halloween-it.

Sipas mediave amerikane, fqinjët u alarmuan kur panë një grua të mbuluar me gjak që kërkonte ndihmë pak para orës 8 të mëngjesit të së premtes. “Një grua iu afrua makinës sonë, e mbuluar me gjak dhe kërkoi të telefononte policinë,” tha për mediat lokale fqinja Alyssa Castro.

Pas marrjes së telefonit, Mock u kthye me nxitim në shtëpi, ku thuhet se u tha dispeçerëve se “e kishte therur nënën e saj për të shpëtuar veten”.

Policia e Wichitës, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, gjeti 80-vjeçaren Anita Avers pa ndjenja në shtratin e saj, me plagë të shumta thike. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë rreth 30 minuta më vonë.

Angelynn Mock u arrestua në vend dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Burgun e Qarkut Sedgwick, nën akuzën për vrasje të shkallës së parë. Ajo po mbahet me një garanci prej 1 milion dollarësh, sipas zyrës së sherifit.

E ndjera Anita Avers ishte terapiste martese dhe familjeje në “Wichita Counseling Professionals”.

Mock, e cila dikur ka punuar si prezantuese në Fox 2 St. Louis (KTVI) mes viteve 2011–2015, më vonë ka ndërruar disa vende pune në sektorin e shitjeve dhe së fundmi ishte punësuar në një kompani menaxhimi të dhënash në rajonin e Midwestit.

Fqinjët shprehen të tronditur nga ngjarja. “Nuk e dimë kurrë çfarë po kalon dikush. Ishte e tmerrshme, por e rëndësishme është që arritëm të thërrisnim ndihmë,” tha Castro për televizionin lokal KAKE.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivet që çuan në këtë krim familjar tragjik.

Next