Mbrëmjen e së premtes, më 31 tetor, policia italiane në Peruxhia arrestoi 21-vjeçarin Yassin Amri, i cili akuzohet si autor i dyshuar i vrasjes së shqiptarit Hekuran Cumanit, 23 vjeç, që humbi jetën pas një therjeje me thikë në natën e 18 tetorit, përpara Fakultetit të Matematikës të Universitetit të Peruxhias.
Sipas hetuesve, Amri u dërgua në burgun Capanne në zbatim të një urdhri paraburgimi, nën akuzën për vrasje me dashje të rënduar dhe për motive të parëndësishme.
Hetimet e deritanishme tregojnë se pas përleshjes fatale, 21-vjeçari u tha miqve të tij “E godita me thikë”, duke iu referuar viktimës që ndodhej i shtrirë në tokë, dhe u tregoi atyre armën e krimit, ende të njollosur me gjak. Ky rrëfim, sipas policisë dhe prokurorisë, është konfirmuar edhe nga bisedat e përgjuara midis të dyshuarve në ditët pas ngjarjes.
Sipas burimeve hetimore, konflikti nisi pas një shprehjeje “Go Morocco”, pas një nate në klubin “100Dieci”, e cila çoi në përleshjen mes dy grupeve të të rinjve.
Prokuroria e Peruxhias bën të ditur se Yassin Amri, me origjinë marokene dhe banues në Ponte San Giovanni, u përpoq të zhdukte gjurmët e krimit. Ai dyshohet se ka asgjësuar thikën, ka hedhur rrobat e natës së sulmit dhe u ka dorëzuar hetuesve një telefon tjetër nga ai që kishte me vete gjatë ngjarjes. Ndërkohë, thika nuk është gjetur ende, por rrobat e Yassinit janë sekuestruar pasi ai dyshohet se ia kishte dhënë një shoqeje për t’i fshehur. Pikërisht në atë moment, sipas mediave italiane, i riu ka kuptuar se kishte vrarë Hekuran Cumanin, i cili jetonte në Fabriano, rajoni Marche, dhe ishte gjithashtu banor italian.
Prokurori i Peruxhias, Raffaele Cantone, deklaroi se kërkesa për urdhër paraburgimi, e paraqitur nga zëvendësprokurorja Gemma Miliani, u bazua në “një sërë provash rrethanore që konvergojnë kundër 21-vjeçarit”.
Sipas Cantones, Amri konsiderohet përgjegjës për “vrasje me dashje të rënduar nga motive të kota”, ndërsa theksoi edhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale, duke marrë parasysh “personalitetin e tij impulsiv dhe faktin se, ndonëse pa precedentë penalë, ecën sistematikisht i armatosur me thikë dhe u përpoq të manipulonte provat pas ngjarjes”.
