Një postim i vetëm në rrjetet sociale duket se do ta vendosë kryeministri Edi Rama përballë një stuhi politike me Uashingtonin. Aleks Soros, djali i miliarderit të njohur George Soros, ka publikuar dje disa foto në rrjetet sociale nga Forumi i Paqes në Paris (Francë) i mbajtur javën që shkoi, ku në to shfaqet edhe kryeministri Rama, në të njëjtin ambient me trashëgimtarin e “perandorisë Soros”. Ngjarja ndodh në një moment të ndjeshëm për Ramën. Prej gati një viti, Donald Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, dhe administrata e tij e ka shpallur Sorosin “armik politik”, duke e akuzuar për ndërhyrje në politikat e brendshme amerikane përmes rrjeteve të organizatave të majta. Në këtë sfond tensioni, fotot e Aleks Sorosit janë parë si një goditje e papritur për Ramën, i cili duket se po përpiqej të shmangte çdo lidhje publike me familjen Soros. Megjithatë, përpjekjet e tij kanë dështuar. Në albumin e shpërndarë nga Aleks Soros në rrjete sociale, kryeministri shqiptar shihet në Pallatin Élysée, krah bashkëshortes së tij Linda Rama, ndërsa vetë Aleks Soros shfaqet me partneren e tij, Huma Abedin. “Mbrëmja e takimit të javës së kaluar në Pallatin Élysée – faleminderit, President Macron, për një tjetër @parispeaceforum të shkëlqyer,” shkruan Aleks Soros krah imazheve.
Prapaskenat
Në pamje të parë, një postim i zakonshëm. Por për ata që ndjekin me kujdes lëvizjet politike, kjo është shumë më tepër se kaq: një ekspozim i drejtpërdrejtë i një lidhjeje që Rama po mundohej me çdo mënyrë ta mbante në hije. Edi Rama mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris, një aktivitet i organizuar tradicionalisht nën patronazhin e familjes Soros, dhe këtë herë nuk kishte asnjë dëshirë të dokumentonte takime apo foto me Aleksin. Por djali i miliarderit nuk mendoi njësoj. Ai ndau pamjet e mbrëmjes, duke përfshirë edhe Ramën, dhe kështu, historia u bë publike. Ironikisht, vetëm disa muaj më parë, Rama kishte pastruar rrjetet e tij sociale nga çdo imazh apo postim ku shfaqej me George apo Aleks Soros, në një përpjekje të dukshme për të shmangur çdo përplasje me administratën Trump. Por tani, me një klik të vetëm, Aleks Soros e ka ekspozuar atë sërish para syve të Uashingtonit politik. Kjo lëvizje shihet si “tradhti e padashur” nga djali i Sorosit, një ekspozim i hapur që mund të ketë pasoja për raportet ndërkombëtare të kryeministrit shqiptar. Për Edi Ramën, i cili prej vitesh është përmendur për lidhjet e ngushta me fondacionet e Sorosit në rajon, kjo histori vjen në momentin më të papërshtatshëm. Në një kohë kur Donald Trump ka rigjallëruar betejën e tij kundër strukturave që ai i quan “rrjete të errëta të ndikimit global”, çdo foto, çdo takim dhe çdo përmendje merr peshë politike. Kryeministri shqiptar, i cili prej kohësh luan një lojë të kujdesshme mes perëndimit dhe lidhjeve të vjetra, duket se është zënë në kurth nga aleatët e tij të dikurshëm. Pra një foto e vetme mund të ketë hapur një plagë të vjetër, ndërsa këtë herë, nuk ka filtër që ta fshehë, çka do të thotë se kryeministri Rama mund t’i hapen telashe me presidentin Trump dhe administratën amerikane, që i ka mbyllur dyert shefit të qeverisë shqiptarë, për shkak se shihet si “bufon i Soros”.