Frigul Milla, administratori i kompanisë “CFO Pharma” në pronësi të biznesmenit Nadir Çausholli, Spartak Zekja, është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Masa ndaj tij është pjesë e 8 urdhërarresteve që janë lëshuar nga organi i akuzës, për skemën mashtruese me barnat e rimbursueshme, ku është përfshirë dhe Spartak Zekja, deri pak javë më parë drejtor i Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, dhe disa zyrtarë të këtij institucioni.
Prokuroria e Tiranës thotë se Frigul Milla me veprimet e tij, ka përdorur dy subjektet “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” dhe administratorët e tyre për qëllime përfitimi, duke paraqitur të dhëna të rreme sikur ka blerë nga këto subjekte medikamente të cilat “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus”, i kanë krijuar në gjendjet e tyre të inventarit në sistemin “edepo” duke falsifikuar inventarin respektiv si dhe faturat e blerjes.
Këto veprime kanë lejuar të dy këto subjekte të kenë aftësi për shitjen e medikamenteve “Foster” dhe “Trimbow” te subjekti “CFO Pharma”.
Këtë verë, biznesmenët dhe pronarët e kompanive farmaceutike Nadir Çaushoilli dhe Ilir Shehu u përfshinë në një valë akuzash në media, për ekskluzivitetin e disa barnave të rimbursueshme, me pronarin e “CFO Pharma” që akuzonte atë të “Mega Store” dhe “Medicamenta”.
Prokuroria e Tiranës njoftoi sot se hetimet për zbulimin e kësaj skeme mashtruese kanë nisur pikërisht nga kallëzimi i bërë nga biznesmeni Ilir Shehu.
“Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit Ilir Shehu, administrator i subjektit “Medicamenta” që është importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetsor, për rimbursimin e disa barnave. Ai kallëzoi se është në dijeni të faktit se subjekti “CFO Pharma” dhe subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” në bashkëpunim me nëpunës publikë të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore kryejnë veprimtari të kundërligjshme që konsiston në veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së produkteve “Foster” dhe “Trimboë” dhe si rrjedhojë e këtyre veprimeve/inventarëve fiktivë përfitojnë nga FSDKSH fonde rimbursime në shuma të konsiderueshme monetare”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Nga të dhënat e publikuara nga Fondi për konsumin e barnave, të dhënat e kallëzuesit të import-it dhe shitjeve, por veçanërisht nga të dhënat në drejtorinë e statistikës pranë Fondit, u konstatua një skemë të organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, në qendër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” në bashkëpunim me zyrtarë të FSDKSH.
“Shpërndarësit “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”, janë shpërndarës të themeluar “de fakto” nga pronari i “CFO Pharma”, të cilët kanë lidhur kontratë me FSDKSH ku kanë deklaruar shifra të fiktive të gjëndjes fillestare të inventarit, me qëllimin shitjet më pas fiktive në “CFO Pharma” e më pas në farmaci.
Subjekti “Pharma Plus” ka deklaruar 2000 kuti “Foster” dhe 1107 kuti “Trimboë” në vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje. Subjekti “Medix Albania” ka deklaruar 4000 kuti “Foster” dhe 11 500 kuti “Trimboë”, në vlerë 60 milionë lekë, pa asnjë blerje”, vijon njoftimi i Prokurorisë.
Fakti, i miratimit të këtyre inventareve fiktive si dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të FSDKSH tregon qartë përfshirjen e zyrtarëve të Fondit si pjesë e kësaj skeme. Shitjet fiktive të “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë bërë drejt “CFO Pharma” e cila ka lëshuar fatura fiktive drejt disa farmacive.
Organi i akuzës sqaron se bazuar në veprimet hetimore të kryera deri më tani në funksion të këtij procedimi penal, ka dyshime që shtetasi Spartak Zekja, Drejtor i FSDKSH, ka konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.
Konkretisht personi nën hetim në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit ka nënshkruar Kontratë “Për Qarkullimin e Barnave të Listës së Barnave që rimbursohen Nga Shpërndarësi Farmaceutik”, ndërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Shpërndarësit Farmaceutik “Pharma Plus”.
Po kështu, edhe punonjëset e FSDKSH, shtetaset Romina Agalliu, Zade Mali dhe Esjana Gjishti, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga neni 186/3 i Kodi Penal.
Këto shtetase duhet të kontrollonin fizikisht medikamentet që kishte përshkruar në listën e inventarit, administratorja e subjektit “Nedix Albania’ e hetuara Lorela Ballabani. Nga kontrolli i kryer dhe verifikimi i medikamenteve në magazinën e “Nedix Albania”, këto shtetase kanë evidentuar sipas tyre, se në magazinën e subjektit ndodhej sasia prej 4.000 kuti medikament i llojit “Foster”.