Me armë në blind dhe targë ruse, arrestohen dy persona në Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Blindi”.

Qarkullonin me automjet të blinduar dhe të armatosur, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me krehër me fishekë, automjeti i blinduar, një targë ruse e falsifikuar, një shumë parash dhe 3 celularë.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për 2 shtetas që qarkullonin me armë zjarri në automjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blindi”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e blinduar me drejtues shtetasin E. D. dhe pasagjer shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me fishekë, një targë ruse e dyshuar e falsifikuar dhe një shumë parash.

Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. D., 28 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-E. B., 29 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Next