Një goditje e fortë është dhënë ndaj korrupsionit në sektorin farmaceutik dhe atë publik.
Prokuroria pranë Gjykatës së Tiranës ka dhënë gjithsej tetë masa sigurie ndaj zyrtarëve dhe administratorëve kompanish, të cilët dyshohet se kanë ngritur një skemë kriminale me qëllim përfitimin e fondeve të rimbursimit nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Në qendër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” e zotëruar nga oligarku Nadir Çausholli dhe zyrtarë të lartë të Fondit, të akuzuar për “Falsifikim të dokumentave” dhe “Fshehje të të ardhurave”.
Skema Kriminale Dhe Barnat E Rimbursueshme
Hetimet e Procedimit Penal nr. 4472 të vitit 2025 zbuluan se skema fiktive kishte si objektiv barnat e rimbursueshme “Foster” dhe “Trimbow”.
Krijimi I Subjekteve
Fiktive:
Administruesi i subjektit “CFO Pharma”, Frigul Milla (i shpallur në kërkim), dyshohet se ka përdorur dy subjekte “de fakto” të themeluara prej tij, “Pharma Plus” dhe “Medix Albania”.
Falsifikimi I Inventarit: Këto dy kompani fiktive kanë krijuar në sistemin “edepo” gjendje fiktive të inventarit dhe fatura blerjeje të falsifikuara. P.sh., “Pharma Plus” deklaroi 2,000 kuti “Foster” dhe 1,107 kuti “Trimbow” (vlera 10 milionë lekë) pa asnjë blerje reale.
Përfshirja E FSDKSH: Shitjet fiktive nga “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” bëheshin drejt “CFO Pharma”, e cila më pas lëshonte fatura fiktive drejt farmacive. Miratimi i këtyre inventarëve fiktivë dhe lidhja e kontratave me këto subjekte nga zyrtarët e FSDKSH tregon përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në skemën e përfitimit korruptiv të fondeve të rimbursimit në shuma shumë të mëdha.
Të Arrestuarit Dhe Të Shpallurit Në Kërkim
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy figura kyçe:
Shtetasi S. Z. (Spartak Zekja): Ish-Drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH. Ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale duke nënshkruar kontratën “Për Qarkullimin e Barnave të Listës së Barnave që rimbursohen” me shpërndarësin
“Pharma Plus”, pavarësisht fiktivitetit. (Ekzekutuar)
Shtetasi F. M. (Frigul Milla): Administratori i “CFO Pharma”. (Shpallur në kërkim)
Masat Për Zyrtarët E Tjerë Të Fondit
Janë marrë masa shtrënguese edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të FSDKSH, të cilët dyshohen se kanë falsifikuar dokumentet duke vërtetuar në mënyrë të rreme gjendjen fizike të medikamenteve në magazinat e kompanive fiktive:
Pezullim Dhe Ndalim Daljeje: Zyrtaret e FSDKSH, Z.M. dhe E. Gj., janë ndaluar të largohen nga shteti dhe u është pezulluar ushtrimi i detyrës a shërbimit publik.
Këto shtetase duhet të kontrollonin fizikisht medikamentet në magazinën e “Nedix Albania”, por kanë evidentuar sipas tyre sasi të mëdha të llojit “Foster” që nuk ekzistonin.
Detyrim Paraqitje/Ndalim Daljeje: Masa janë caktuar edhe ndaj A.Z., J. B. dhe L. B. (administratorja e “Nedix Albania”), si dhe R.A. (punonjëse e FSDKSH).
Hetimi nisi pas një kallëzimi të detajuar nga administratori i subjektit “Medicamenta”, i cili është importuesi ekskluziv i barnave dhe vuri në dukje skemën e përfitimit të paligjshëm të fondeve rimbursuese në vlera shumë të mëdha.