Tritoli në auto-sallonin e makinave me qira në Kuçovë! Dyshohet për shpërthim me telekomandë, biznesi në EMËR të…

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Kuçovës, konkretisht në auto-sallonin e makinave me qira të Gëzim Skënderajt. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45, në lagjen “Postobllok”, Njësia Administrative Perondi. Sipas policisë, shpërthimi dyshohet të jetë realizuar me telekomandë dhe mendohet të ketë përdorur një sasi tritoli prej 1 deri në 2 kallëpeve.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në dyert, dritaret dhe xhamat e objektit. Policia ka nisur hetimet dhe ka shikuar materialet e kamerave të sigurisë, nga të cilat është konstatuar se një person me kapuç ka vendosur lëndën plasëse në ambientet e sallonit dhe më pas është larguar, duke aktivizuar shpërthimin disa minuta më vonë.

Biznesi është në pronësi të Gëzim Skënderajt, i cili nuk ka precedentë penalë. Një nga vëllezërit e tij, Bledi Skënderaj, punon si polic bashkiak në Bashkinë e Kuçovës, por sipas hetuesve, ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e tij. Policia ka përjashtuar mundësinë që shpërthimi të ketë ndodhur për motive të lidhura me detyrën e Bledi Skënderajt.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Berat dhe Njësisë Anti-Tritol të Policisë së Shtetit, të cilët janë angazhuar për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve. Hetimet po zhvillohen në disa pista, të cilat ende nuk janë bërë publike.

Gëzim Skënderaj ka katër vëllezër, dhe disa prej tyre kanë pasur lidhje me aktivitete kriminale. Tani Skënderaj dhe Gëzim Skënderaj kanë jetuar për vite të tëra në Itali dhe janë kthyer së fundmi në Kuçovë, ku kanë investuar në biznese. Një tjetër vëlla, Zamir Skënderaj, ka qenë i dënuar në Gjermani për trafikim të lëndëve narkotike dhe aktualisht është duke vuajtur dënimin në Shqipëri. Ndërsa një tjetër vëlla, Avdyl Skënderaj, është vrarë në vitin 1997.

Next