900 mijë euro kanabis të maskuar si ‘çokollatë nga Dubai’, arrestohet 20-vjeçari shqiptar

Më 24 tetor 2025, Zyra e Hetimeve Doganore e Hanoverit (Land Niedersachsen) sekuestroi në Oyten (rrethi Verden) 73 kilogramë hashash dhe marihuanë, të cilat ishin të paketuara si ‘Dubai-Schokolade’ (çokollatë nga Dubai).

Gjatë operacionit u arrestua një shtetas shqiptar 20-vjeçar, i cili ndodhet tashmë në paraburgim. Sipas autoriteteve gjermane, vlera në treg e drogës së sekuestruar arrin rreth 900 mijë euro.

Hetimet nisën pas kontrollit të një ngarkese mallrash që vinte nga Spanja, ku zyrtarët e doganës vunë re disa parregullsi. Brenda saj, ata zbuluan rreth 53 kilogramë marihuanë.

Pas këtij zbulimi, më 24 tetor, hetuesit kryen një kontroll banese në Oyten, ku njësia speciale e doganës së Hanoverit arrestoi të dyshuarin, që akuzohet për pjesëmarrje në trafikun e kanabisit.

‘Sipas zëdhënësit të zyrës së doganës, Guido Mäke, në banesë u gjetën edhe 20 kilogramë të tjerë hashashi, të ruajtur në frigoriferin e të arrestuarit. Droga ishte e paketuar si çokollatë nga Dubai dhe ishte gati për shitje,’ bëri të ditur ai.

Personi i arrestuar u dërgua para gjyqtarit të hetimeve paraprake dhe u vendos në masën e paraburgimit.

Hetimet e Zollfahndungsamt Hannover, nën drejtimin e Prokurorisë së Verdenit, vazhdojnë ende.

Autoritetet sqaruan se për arsye hetimore, rasti është bërë publik vetëm tani.

Next