Dilema për rreshtimin e Kombëtares në ndeshjet e nëntorit, Silvinjo ka gati modulin e… befasive

Shqipëria do të përballet në datën 13 nëntor me Andorrën dhe 3 ditë më vonë, do të presë Anglinë në stadiumin “Air Albania”.

kombetarja

Për kuqezinjtë, do të jenë 3 ditë vendimtare duke qenë se do të vuloset përfundimisht fati ynë në eliminatoret e Botërorit, ku me një fitore të mundshme në Andorra, do të ishim në “Play Off” me shumë gjasa. Në këtë rrugëtim të Botërorit, kuqezinjtë kanë bërë mirë dhe i vetmi zhgënjim deri më tani, mund të konsiderohet padyshim barazimi 1-1 që kuqezinjtë morën në Letoni.

Pavarësisht se në letër ishte një kundërshtar i lehtë, Shqipëria nuk arriti të dilte me 3 pikë por fitorja ndaj Serbisë në Leskovc, bëri që ai barazim të harrohej. Dhe, për ironi të fatit këto janë dy ndeshjet e vetme që Shqipëria ka luajtur me të njëjtin rreshtim, pasi në 4 sfidat e tjera ka pasur formacione ndryshe.

Me këtë formacion, Shqipëria ka zhgënjyer në testin e parë, duke barazuar 1-1 me Letoninë. Veç barazimit që vuri në dyshim të madh kualifikimin tonë, loja që zhvilloi Kombëtarja ishte shumë e dobët dhe munguan rastet e shënimit. Por, Silvinjo i besoi atij rreshtimi dhe vendosi ta përsëriste sërish në sfidën ndaj Serbisë, 4 muaj më vonë. Ndryshe nga përballja në Letoni, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të madhe në Leskovc, duke fituar 0-1 e madje duke krijuar shumë. Veç kësaj, kuqezinjtë ishin shumë të sigurt në mbrojtje dhe nuk rrezikuan asnjëherë që të humbisnin këtë sfidë apo edhe të dilnin me 1 pikë. Sfida në Letoni kishte ndryshime të shumta në emra nga ajo në Serbi, sidomos në repartin e mbrojtjes. Në barazimin 1-1 ndaj Letonisë, luanin Balliu nga e djathta, Kumbulla e Ismajli në qendër dhe Mitaj nga e majta. Në mesfushë, të dyja ndeshjet ishin të përbëra nga treshja Asllani, Laçi dhe Shehu, ndërsa në sulm, ndryshimi ishte në të majtë, ku ndaj Serbisë luante Uzuni ndërsa në Letoni ishte Hoxha. Në të djathtë ka luajtur Broja dhe Manaj në qendër të sulmit.

1

Ky rreshtim, është preferuar nga Silvinjo në tri sfida kualifikuese, nga të cilat kemi fituar 2 dhe kemi barazuar vetëm një. Pikë të plota kemi marrë ndaj Andorrës në Tiranë dhe ndaj Letonisë në Tiranë, ndërsa kundër Serbisë kemi barazuar pa gola. Interesant është fakti se Silvinjo e ka preferuar këtë formacion vetëm në ndeshjet brenda, ndryshe nga 4-3-3 që e ka preferuar në ndeshjet në transfertë. Silvinjo ka lojtarë “të preferuar” edhe për këtë rreshtim dhe ndryshimet kanë qenë minimale. Kështu, ndaj Andorrës ka luajtur Aliji në të majtë të mbrojtjes si titullar ndërsa në të dyja sfidat tjera, ka luajtur Mario Mitaj. Në sulm, ndryshimi i vetëm ka qenë Nedim Bajrami si titullar në të majtë ndaj Letonisë, ndërsa ndaj Andorrës e Serbisë, ka qenë Arbër Hoxha titullar duke ulur në stol Bajramin.

2

Hera e parë dhe e fundit që Silvinjo ka përdorur këtë rreshtim në kualifikuese, ka qenë në transfertë ndaj Anglisë. Atë takim, kuqezinjtë e kanë humbur me rezultatin 2- 0, teksa paraqitja në fushë nuk ishte në nivelin më të mirë, kjo edhe për shkak të kundërshtarit që kuqezinjtë kishin përballë. Në asnjë rast tjetër të këtyre kualifikueseve, nuk është përdorur më si rreshtim. Në sfidën kundër Anglisë, ka pasur edhe shumë ndryshime në formacion, me Strakoshën në portë, Aliji në të majtë e Balliu në të djathtë dhe me Gjimshitin e Ajetin në qendër. Para mbrojtjes, ka qenë Ramadani ndërsa në mesfushën me 4, ishin Bajrami nga e majta e Asani nga e djathta dhe Laçi me Asllanin në qendër. Sulmues në atë takim, ishte Myrto Uzuni.

 

Next