‘Do të hidhem nga pallati’ – janë këto fjalët e njërës prej banoreve, të cilës ditën e sotme i është kërkuar të lërë banesën prej zyrës së përmbarimit.
32 familje po nxirren nga përmbarimi prej banesave të zonës së plazhit pranë “rrotës së kuqe”, këto të fundit të përfituara si banesa sociale në vitin 1991, për familjet e pastrehë.
Sakaq, këto banesa janë blerë nga shtetasi Mikel Noçka në vitin 2012 nga Bashkia Durrës dhe Ministria e Financës së asaj kohe, ndërkohë që banorët jetonin ende aty.
Edhe pse ende me status të pastrehë, banorëve pas dy takimesh me kryetaren e bashkisë nuk u është dhënë asnjë zgjidhje, madje, siç deklarojnë disa prej tyre, kjo e fundit i ka përcjellë duke u kërkuar të aplikojnë si të pastrehë për banesa të reja, duke u futur në radhë me 3000 familje të tjera që presin prej vitesh.
Edhe pse gjykata e apelit ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, pasi çështja është vonuar në gjykim pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ku i ndjeri pritej ta merrte çështjen për gjykim të mëtejshëm, banorëve u është kërkuar ditën e sotme të lënë banesat e tyre kundër dëshirës./
BalkanWeb