“Goditje e rëndë për qeverinë Rama”/ Balluku e pandehur, sqaron gazetari: Nuk e kontrollon dot SPAK-un, ka një plan B

Për gazetarët e politikës, vënia nën hetim e Belinda Ballukut nga SPAK për çështjen e Tunelit të Llogarasë, në rrafshin politik, konsiderohet një goditje e rëndë për qeverinë Rama, pasi Balluku mban postin e numrit dy në kabinet.

I ftuar në një emision televiziv, gazetari Arbër Hitaj, u shpreh se deri më tani, kryeministri Edi Rama ka shmangur çdo koment direkt mbi aferën, ndërkohë që kjo lëvizje e kreut të ekzekutivit, shihet si një përpjekje e këtij të fundit për të fituar kohë, në mënyrë që të menaxhojë pasojat politike.

Pavarësisht skandaleve të përsëritura që kanë prekur zyrtarë të lartë të qeverisë së tij, sipas Hitajt, kryeministri duket se qëndron politikisht i paprekur, duke u mbështetur në një mburojë që e mbron nga përgjegjësia direkte ligjore dhe politike.

Arbër Hitaj:

Shiko, politikisht nuk është një gjë e thjeshtë për maxhorancën që të ketë akuza ndaj numrit dy të saj. Dhe nuk besoj që është një çështje që është shumë e lehtë edhe për t’u kaluar, sidomos në ditët në vijim, sepse ti e the, është çështja morale, çështja politike dhe çështja ligjore. Ligjërisht jemi në fillim të një procesi që nuk e dimë si do shkojë. Ka shumë informacione, nuk e kam parë dosjen.

Qyno ka më shumë informacione te kjo pjesë edhe i njeh më mirë çështjet e drejtësisë. Por pjesa që ka të bëjë me informacionin, flitej prej kohësh, nuk është se është një gjë e re. Flitej që SPAK mund ta thërrasë zonjën Balluku, mund t’i komunikojë edhe akuza e të tjerë. Por megjithatë, ajo që duhet të bëjmë ne në këtë moment, ose unë si gazetar, por besoj edhe shumë të tjerë, është që ne të mbështesim sistemin e drejtësisë.

T’i shkojë deri në fund të gjithë atyre pretendimeve që ata kanë, por patjetër duhet dhe një lloj transparence, duhet dhe një lloj qasje, po themi, korrekte ndaj të gjithëve, edhe ndaj medias, me informacione, duke mos na lejuar edhe ne të aludojmë, duke mos thënë gjëra që s’i bazojmë, por nga ana tjetër edhe ndaj vetë zyrtarëve, sepse në fund të ditës, unë besoj që pavarësisht se kjo është një akuzë që ngrihet ndaj një emri, ndaj zonjës Balluku, e cila është zëvendëskryeministre, por në fund të ditës është zëvendëskryeministre e Shqipërisë.

Pra janë procese që për mua janë delikate dhe kjo vlen për të gjithë politikanët. Në fund të ditës ata janë individë, janë emra. Por duhet që të ketë një lloj qasje pak më korrekte mendoj unë dhe në marrëdhënie me publikun, por dhe në marrëdhënie me opinionin publik dhe në marrëdhënie me gazetarët. Pra që ne ta dimë se për çfarë bëhet fjalë. Të jemi të gjithë si i thonë, korrekt me atë që raportojmë dhe të mos kemi situata, si në të kaluarën që ne nuk kemi ditur pothuajse asnjë gjë, ka rrjedhur dy-tre informacione këtu, dy-tre informacione atje, nuk kanë qenë të vërteta, pastaj kanë rezultuar që nuk dinte gjë as prokuroria, nuk kanë rezultuar te akuza finale.

Shiko, unë besoj që Partia Socialiste dhe zoti Rama nuk është se e ka pritur, të jemi të sinqertë, pavarësisht se flitej. Kjo është një situatë që nuk e ka parashikuar, e ka llogaritur. Kështu që automatikisht po i jep Partia Socialiste po i jep kohë vetes, me sa po lexoj unë, zoti Rama po i jep kohë vetes për të parë si do shkojnë gjërat, çfarë do të bëjë dhe drejtësia. Por në qoftë se do të vijojë që do ta thërrasë dhe do ta marrë në pyetje, pra pa u futur në masa shtrënguese të tjera.

Pra, unë shikoj që zoti Rama po përpiqet të lexojë situatën, por jam i sigurt që nga ky moment, patjetër që e ka dhe një plan B. Në planin B mund të jetë edhe zëvendësimi i zonjës Balluku ose jo. Por gjithsesi, unë besoj që situata të tilla e kanë, e kanë dhe skenarët politikë.

Shiko, ky është një diskutim që ka vlerë, por jemi gati tetë ose nëntë muaj nga zgjedhjet parlamentare. Jemi tetë ose nëntë muaj nga një rezultat shumë i lartë që ka patur mazhoranca. Jemi tetë ose nëntë muaj nga një rezultat shumë të dobët që ka marrë opozita.

Jo, unë e kam lexuar dhe raportin edhe në qoftë se doni unë mund të ndalem se ti e di që unë futem në detaje. E kam këtë zakon të keq. Por diskutimi është këtu, që cilët janë skenarët? Pra, skenari është do kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe sa siguri ka që del përsëri fituese opozita. Se vendi mund të shkojë përsëri në zgjedhje parlamentare, por…

Epo, tani në qoftë se i hyjmë sikur ashtu jo, sikur ajo jo, unë mendoj këtë gjë, që në thelb nuk është gati mendoj opozita, por nuk është gati as mazhoranca që t’i futen një aventure me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pra nuk është momenti, politik që të kemi një situatë hipotetike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nuk e shikoj, nuk më vjen asnjë lloj sinjali.

Për sa i përket SPAK-ut, unë nuk besoj që zoti Rama është i gëzuar që numri dy, një nga njerëzit më të fuqishëm të kësaj mazhorance në këto dy mandate të fundit, sepse duhet theksuar, zonja Balluku ka marrë fuqinë në dy mandatet e fundit, nuk ka qenë në dy mandatet e para dhe nuk besoj që zoti Rama është i gëzuar me këtë dhe kjo tregon që ai mund të ketë informacion brenda SPAK, por në mënyrë kategorike, ky është mendimi im, nuk e kontrollon dot SPAK. Sepse nuk ka arsye që të krijonte një situatë të tillë, dhe kjo rrëzon atë tezën që SPAK-u kontrollohet nga mazhoranca.

Se s’mund ta rrëzojë një arrestim gjithë veprimet që janë bërë. Pra, unë mendoj këtë gjë, që gjithçka mund të ndodhi, po gjithsesi ajo që unë mendoj unë është që vendi nuk është gati.

Next