Një sulm i dyshuar terrorist ka ndodhur sot në Francë (5 nëntor), ku një shofer makine përplasi turmën në ishullin e Oleron.
france
Raportimet e mediave dhe autoriteteve flasin për një bilanc me të paktën 10 të plagosur. “Le parisien” informon se motivet mbeten ende të panjohura, por sipas dëshmitarëve kanë dëgjuar shoferin që ka bërtitur para aktit “Allahu Akbar”. Ndaj edhe pista më e besueshme mbetet ajo e një sulmi terrorist.
Sulmuesi u arrestua menjëherë nga policia dhe u bë një përpjekje për t’i vënë flakën automjetit, pasi e kishte mbushur me bombola gazi.
Sulmi ndodhi midis dy fshatrave Dolus-d’Oléron dhe Saint-Pierre-d’Oléron në ishullin francez që frekuentohet edhe nga shumë turistë, rreth orës 8:45 të mëngjesit.
Dy nga të plagosurit mësohet se janë në gjendje kritike. Gjatë arrestimit, autori u përpoq t’i vinte flakën makinës së tij, ndërsa në automjet u gjetën bombola gazi.
Autori i krimit është një shtetas francez i moshës rreth 30 vjeç, i njohur në zonë për konsumin e rregullt të drogës dhe alkoolit, sipas kryetarit të bashkisë së Oleron.
Ai nuk është i regjistruar në bazën e të dhënave kombëtare për parandalimin e radikalizimit, por autoritetet po hetojnë mundësinë që ai të vuajë nga çrregullime psikiatrike.
Ministri i Brendshëm Loren Nunes njoftoi se do të vizitojë zonën me kërkesë të Kryeministrit, ndërsa konfirmoi se ka nisur një hetim për incidentin.