Një oficer karriere është larguar nga Policia e Shtetit në një mënyrë që mund të konsiderohej edhe si një largim i paralajmëruar dhe që ka krijuar jo pak zhurmë në korridoret e policisë.
Ish-shefi i Komisariatit numër 2 në Tiranë, Ritvan Pali, oficeri i karrierës, që për një periudhë kohe drejtoi njërin prej komisariateve më të rëndësishme në vend, ka mbyllur kapitullin e tij në radhët e policisë.
Gjatë drejtimit të Komisariatit nr.2, Ritvan Pali arriti rezultate të larta në detyrë, ndërsa një nga operacionet më të bujshme të asaj kohe ishte arrestimi i personit të shumëkërkuar nga SPAK për bashkëpunim me grupet kriminale, ish-efektivit të RENEA-s, Altin Morina.
Por pikërisht pas këtij operacioni që u vlerësua edhe publikisht, karriera e Palit mori një kthesë të papritur. Ai dha dorëheqjen papritmas si shef i Komisariatit nr.2 në Tiranë, një vendim që edhe mes kolegëve u përfol si “dorëheqje e detyruar”.
Pas largimit nga Tirana, Pali u emërua shef rendi në Devoll dhe më pas u transferua në Kukës, ku shërbeu si specialist i thjeshtë për rendin. Ndërkohë, ndaj tij u aplikua edhe një ulje në gradë, nga komisar në nënkomisar, pa një motivacion të qartë zyrtar.
Të gjitha këto vendime, të cilat u bënë edhe publike gjatë kësaj kohe në media duket se e kanë çuar oficerin drejt dorëheqjes përfundimtare nga Policia e Shtetit.
A2CNN ka siguruar edhe dokumentin e lirimit nga Policia të oficerit Ritvan Pali. Një rast i pazakontë, ku karriera e një oficeri u shuajt brenda pak kohësh, jo prej mungesës së rezultateve në detyrë.