Zbulohen dy “shtëpi bari” në Bajzë të Malësisë së Madhe, ku kultivoheshin bimë narkotike duke vjedhur edhe energjinë elektrike. Gjatë operacionit u godit edhe një rast i magazinimit të mallrave të kontrabanduara.
Në pranga ranë 3 persona, ndërsa një i katërt u shpall në kërkim. Operacioni është koduar “Neonët”, kurse të dyshuarit që kultivonin drogën janë familjarë.
Vihen në pranga 2 punonjës të OSHEE-së dhe procedohen penalisht 2 punonjës të tjerë, për shpërdorim detyre.
Burime zyrtare bënë me dije se në pranga ra Daniel Buraj, u procedua nëna e tij dhe u shpall në kërkim Sokol Buraj, i ati. Gjithashtu u ndaluan Ersid Çulaj dhe Ferndinand Dedaj.
Sekuestrohen 287 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë, 515 gramë kanabis, municion luftarak, 1 armë e ftohtë (thikë), 101 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 2 automjete, 9 celularë dhe pije të ndryshme alkoolike të dyshuara të kontrabanduara.
Njoftimi i Policisë së Shkodrës:
“Në zbatim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të ndryshme, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Si rezultat u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 2”. Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 22 vjeç, u procedua penalisht nëna e tij, shtetasja F. B., 54 vjeçe, dhe u shpall në kërkim babai i tij, shtetasi S. B., 57 vjeç, të tre banuese në fshatin Bajzë.
Gjatë kontrolleve në banesën e këtyre shtetaseve dhe në një banesë të pabanuar në fshatin Bajzë, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 119 bimë dhe 168 fidanë të dyshuar narkotikë, 515 gramë lënde të dyshuar narkotike Cannabis sativa, municion luftarak, 1 armë të ftohtë (thikë), 49 llamba, 47 pajisje elektrike inverter, 3 aspiratorë, 2 filtra ajri, 2 automjete dhe 9 celularë. Gjatë kontrollit në banesën e pabanuar, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit S. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 138 arka dhe shishe me pije të ndryshme alkoolike, të dyshuara të kontrabanduara.
Në vijim të veprimeve hetimor dhe procedurale për këtë rast:
-u ndaluan shtetasit E. Ç., 27 vjeç dhe F. D., 57 vjeç, të dy banues në fshatin Bajzë, dhe nisi procedimi penal për shtetasit L. L., 52 vjeç, banues në fshatin Bajzë, dhe I. D., 53 vjeçe, banuese në Koplik, të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit S. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”.