Personi në foto është i ndjeri Juris Becaj, 21 vjeç, i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm në fabrikën “Sews Cabind Albania” në Bathore.
I riu pësoi një arrest kardiak gjatë orarit të punës. Sipas dëshmive, kolegët tentuan disa herë të njoftonin ambulancën, por telefonatat nuk u hapën.
Ambulanca mbërriti me vonesë dhe, pasi i dha adrenalinë, Jurisi hapi sytë për pak çaste, por dhjetë minuta më pas ndërroi jetë në fabrikë. Punëtorët tregojnë se, pas ngjarjes, u mblodhën për t’i bërë nderimet të ndjerit dhe për të mos vazhduar punën, por drejtuesit e fabrikës i paralajmëruan me përjashtim.
Ndërkohë, sipas tyre, po thuhet se i riu ka vdekur në spital, për të shmangur përgjegjësinë e fabrikës si rast vdekjeje në vendin e punës dhe detyrimin për të paguar sigurimin jetësor. Sipas kolegëve, Juris nuk kishte shfaqur shenja sëmundje, madje merrej me palestër.
Sipas kolegëve, Juris pësoi arrest kardiak gjatë turnit të tretë, një orar që shumë punëtorë nuk e përballojnë dot. Ata tregojnë se disa prej tyre u ka rënë të fikët për shkak të lodhjes ekstreme, ndërsa detyrohen ta bëjnë turnin e tretë.
Rasti ngre pikëpyetje mbi funksionimin e shërbimit të urgjencës dhe respektin e dinjitetin ndaj punëtorit në vendin e punës nga eprorët./Joqalbania