E bujshme/ Ja si SPAK “shpëtoi” dosjen e Belinda Ballukut nga parashkrimi duke marrë me urgjencë të pandehur ministren, hetimet…

Arsyeja pse zv/kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur në një kohë kaq të shpejtë dhe vetëm për shkelje të barazisë në tendera, sqarohet në dosjen e Prokurorisë së Posaçme. Sipas SPAK vepra penale mund të parashkruhej.

Në dosje evidentohet fakti se ushtrimi i ndjekjes penale për tunelin e Llogarasë, në ngarkim të të pandehurës Balluku është i afërt me kufirin ligjor 5 vjeçar të parashkrimit të ndjekjes penale, parashikuar nga neni 66 gërma “Ç” e Kodit Penal.

Por nga ana tjetër thotë organi hetues, veprimet hetimore nuk kanë përfunduar për fakte të tjera penale, ç’ka nënkupton se ndaj numrit dy të qeverisë mund të ketë në vijim komunikim akuze tjetër.

E thënë më thjeshtë, nisja e procedurave të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë ka ndodhur më në vjeshtën e 2020-ës, pra 5 vite më parë, dhe pas rreth 1 muaj, vepra për të cilën sot akuzohet Balluku mund të parashkruhej nëse organi hetues nuk do të dilte me konkluzione, ndonëse dy kallëzimet penale që u bashkuan në një të vetëm ishin bërë më 9 korrik dhe 12 shtator të 2024.

Hetimet për elementë të tjerë të korrupsionit vijojnë

Skandalet e kësaj afere nuk përfundojnë këtu. Media “Plug” publikoi dje detaje të një kompanie tjetër nënkontraktore e cila ka kryer një ndër proceset me thelbësore. Germimin për hapjen e tunelit është pikërisht Via koncstruksion.

Kjo kompani, u themelua në vitin 2021 nga një i ri që kishte punuar si agjent shitjesh, ndërsa për punimet në ndërtimin e tunelit të Llogarasë ai mori 7.5 milionë euro. Për këtë kompani ngrihen hije të forta dyshimi se mund të jetë përdorur për qarkullimin e parave, ndërsa i mbetet SPAK të hetojë. Por jo vetëm kjo.

Në projektin fillestar, veç ndërtimit të tunelit prej 6 kilometrash, ishin parashikuar edhe dy ura në dy daljet e tij, për të cilat ishin detajuar edhe kostot.

Por në fund, njëra nga këto dy urat, që projektuesit e kishin parashikuar si urë të varur e me një këmbë, që krijonte efekte panoramike, është zhdukur dhe në finale as nuk është ndërtuar, ndërkohë që ishte një prej zërave më të kushtueshëm të këtij projekti.

Pas gllabërimit të 190 milionë eurove, siç në çdo procedurë të këtij projekti, Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë harruar edhe një element tepër të rëndësishëm, kolaudimin e Tunelit të Llogarasë. Këto punime nuk janë kolauduar, pasi nuk ka ekzistuar një kolaudator që të kryente vlerësimin.

Supervizimi

Përveç mënyrës skandaloze se si u fitua tenderi i Llogarasë, SPAK po heton në një dosje tjetër dhe kompaninë që ka mbikëqyrur punimet. Disa muaj më parë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e kompanisë “Hill Internacional HV” për të zbatuar urdhrin e prokurorit për sekuestrimin e dokumenteve. Bashkimi i operatorëve ekonomikë mes kompanisë “Hill Internacional HV” dhe “Net Group” e biznesmenit të arrestuar Valter Begaj kanë fituar tenderin pranë Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Belinda Balluku për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Hetuesit kanë sekuestruar kontratën e bashkimit të këtyre dy kompanive dhe dokumentet që janë dorëzuar kur kanë marrë pjesë në tender dhe janë shpallur më pas fituese.

SPAK ka dyshime se këto dy kompani të bashkuara në një të vetme, për të marrë pjesë në tender janë favorizuar, kjo për faktin se Valter Begaj ka qenë ish-ortak me Evis Berberin ish-kreun e ARRSH që ndodhet në qeli nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash. Berberi një prej njerëzve më të besuar të Ballukut, akuzohet se favorizonte ish-ortakun e tij në tendera dhe kontrollonte në mënyrë indirekte një kompaninë DAAM sh.p.k.

Next