Gazetari Almer Toska, i ftuar në një studio televizive, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrjen të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga SPAK, duke ngritur dyshime për mungesën e reagimit nga opozita dhe mënyrën se si po vepron drejtësia.
Sipas Toskes, fakti që opozita nuk ka reaguar për rastin Balluku, ngre dyshime për ndikime dhe pazare politike. “Fakti që opozita nuk ka një reagim për Ballukun, ka dyshime se njerëz të opozitës janë blerë nga Balluku,” deklaroi ai, duke shtuar se “Balluku, e kapur në flagrancë me një aferë prej 50 milionë eurosh, nuk arrestohet. Si ta shpjegosh standardin e dyfishtë të SPAK?”
Gazetari kujtoi momentin e arrestimit të ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi, duke theksuar se në atë moment, ndërgjegjja duhet ta kishte detyruar Ballukun të largohej. “Kur u arrestua Evis Berberi, Ballukun duhet ta vriste ndërgjegjja dhe të largohej. Ajo u shty në zullum më tepër dhe ruajti veten, duke e quajtur veten të pastër,” tha Toska.
Ai shtoi se tashmë kryeministri Edi Rama ndodhet përballë një prove politike dhe morale. “Unë mendoj se Edi Rama është në provë për të respektuar standardin e vet të baraslargimit nga çdo person i përfshirë në afera. Nuk besoj se Rama do të marrë kosto duke e mbajtur në detyrë Ballukun dhe pres ta shkarkojë si të tjerët,” u shpreh Toska.
Në vijim, ai ngriti edhe disa pyetje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje të qarta nga kreu i qeverisë: “A është e vërtetë që Balluku e kërcënon me rrëzimin e qeverisë? A është Rama i sinqertë kur thotë se kushdo që akuzohet për korrupsion do t’i lihet drejtësisë? Pres që Rama t’i përgjigjet publikut.”
Duke analizuar marrëdhënien mes Ramës dhe Ballukut, Toska tha se kryeministri ka mbajtur një qëndrim mbrojtës ndaj saj. “Për Ballukun, Rama s’ka pasur rezerva. Ajo ka marrë përsipër çdo aferë dhe pisllëk. Ajo bëhej kamikaze, përfshihej në korrupsion dhe afera, ndërsa Rama ruante veten e tij,” tha ai.
Në përmbyllje, Toska u shpreh se Rama ndodhet në një moment delikat politik: “Unë kuptoj që Rama është i shantazhuar dhe është në mëdyshje si do reagojë.”