Ushqimi i kafshëve që vjen nga Serbia në Shqipëri është i kontaminuar me toksinën kancerogjene, aflatoksinë.
AKU ka bllokuar 25 ton misër serb në pikën kufitare në Han të Hotit pasi në bazë të analizave laboratorike ky produkt ka rezultuar i pasigurtë për shëndetin e kafshëve. Aflatoksina është një toksinë e krijuar nga myku që rritet tek drithërat.
Ushqimi i kafshëve me aflatoksinë nuk vë në rrezik vetëm shëndetin e lopëve dhe të bagëtisë së imtë, por përbën rrezik edhe për njerëzit sepse aflatoksina më pas depozitohet tek qumështi.
“Është konstatuar gjatë aksioneve tona një ngarkesë misri me aflatoksinë, gjithashtu janë bllokuar dhe ngarkesat e tjera. Janë marrë 10 kamionë misri, ndërsa sasia e produktit të bllokuar me aflatoksinë është 25 ton, dhe është vendosur që të asgjësohet pasi të bëhet verifikimi i të gjitha veprimeve administrative“, është shprehur Poliksen Drazho nga AKU për TopChannel.
Duke qenë përballë këtij alarmi të sigurisë së ushqimore, inspektorët e AKU që ushtrojnë detyrat në pikat doganore në kuadër të monitorimit do të analizojnë çdo ngarkesë ushqimi blegtoral, para se të shkojë në stallat e bagëtive që furnizojnë me lëndë të para fabrikat e qumështit.
Në muajt e fundit, Shqipëria është përballur me një sërë skandalesh që lidhen me sigurinë ushqimore. Ngarkesa të tëra me produkte bujqësore janë refuzuar nga tregjet evropiane për shkak të niveleve të larta të pesticideve dhe substancave të ndaluara.
Vetëm gjatë vitit 2025, sistemet europiane të alarmit ushqimor (RASFF) kanë raportuar disa raste të bllokimit të produkteve shqiptare nga specat e kuq dhe domatet, tek mandarinat e Divjakës duke ngritur alarmin për standardet e kontrollit dhe mungesën e transparencës në zinxhirin ushqimor vendas.
Në të njëjtën kohë, në tregun e brendshëm janë zbuluar raste të mishit të pulës të kontaminuar me salmonelë, si dhe qumësht me alfatoksinë një toksinë e rrezikshme që lidhet me kancerin e mëlçisë. Këto ngjarje tregojnë se, përtej reputacionit të dëmshëm në eksport, konsumatori shqiptar është bërë viktima më e ekspozuar ndaj mungesës së kontrollit të qëndrueshëm dhe zbatimit të protokolleve të sigurisë ushqimore.