Deklarata e të shoqes së 66-vjeçarit që u zhduk në mënyrë të mistershme në Përmet — e njëjta rrugë ku humbën dhe dy të tjerë

Një ngjarje misterioze ka tronditur fshatin Leshicë të Përmetit, pasi 66-vjeçari Agron Çumani është zhdukur pa gjurmë që prej pasdites së 4 nëntorit.

Pamjet e një kamere sigurie në fshat kanë fiksuar për herë të fundit Çumanin, pak para se të humbiste çdo kontakt me familjen. Në video, ai shihet duke ecur qetësisht me një thes në duar, ashtu siç kanë dëshmuar edhe banorët.

“E kam parë rreth orës 4 e gjysmë ose 5, e tërhiqte thesin zvarrë”, – rrëfen një banor i zonës.

Prej asaj dite, familjarët dhe policia kanë nisur kërkimet, që janë shtrirë deri në kufi me Greqinë, por pa asnjë rezultat.

Bashkëshortja e 66-vjeçarit, Florida Çumani, tregon se ditën e martë bashkëshorti kishte dalë për të kryer disa analiza, por nuk është kthyer më në shtëpi.

“Kishte probleme me kujtesën, por e dinte rrugën për në shtëpi. Kam kërkuar gjithë natën”, – tregon ajo me lot në sy.

Ngjarja është bërë edhe më e mistershme nga rrëfimet e banorëve, të cilët thonë se në të njëjtën zonë, në segmentin e vjetër të rrugës Përmet–Leshicë, vite më parë janë zhdukur pa lënë gjurmë edhe dy persona të tjerë.

“Duhet të merren masa”, – shprehen ata.

Banorët përjashtojnë edhe mundësinë që 66-vjeçari apo personat e tjerë të jenë mbytur në lumin Vjosë, pasi deri më tani nuk është gjetur asnjë shenjë.

Policia e Përmetit vijon kërkimet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e zhdukjes së Agron Çumanit.

Next