Një ngjarje e rëndë ka tronditur Athinën dhe zonën përreth saj, pasi policia greke ka zbuluar trupin e një personi të lidhur dhe të djegur në pjesën e pasme të një automjeti në zonën e Skourtas, Viotia, pranë kryeqytetit grek.
Sipas mediave vendase, policia po heton identitetin e viktimës, ndërsa një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me zhdukjen e një punëtori shqiptar, i cili rezulton të jetë humbur prej katër ditësh.
Burime nga policia bëjnë me dije se shqiptari, punëtor ndërtimi pa precedentë penalë, jetonte në Evia dhe ditën e fundit që është parë gjallë ishte nisur drejt Vilias. Ai kishte marrë në makinë një të njohur, të cilin e kishte lënë rrugës, për të vijuar më pas vetëm udhëtimin.
Automjeti i tij është gjetur i braktisur, ndërsa familjarët kanë kontaktuar me autoritetet dhe pritet që një prej tyre të japë ADN-në për të përcaktuar nëse trupi i gjetur është ai i shqiptarit të zhdukur.
Të afërmit e tij janë shprehur të tronditur, duke theksuar se ai nuk kishte pasur asnjë konflikt me askënd dhe asnjë arsye për t’u zhdukur në mënyrë të tillë.
Hetimet kanë zbuluar se automjeti ku u gjet trupi rezulton të jetë i vjedhur në maj 2025 në Glifadha të Athinës, ndërsa mbante targa të falsifikuara, të cilat i përkisnin një mjeti të së njëjtës markë dhe ngjyrë në Katerini.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, trupi u gjet me pranga nën sqetulla, që mendohet se janë përdorur për ta lidhur, por për shkak të djegies së trupit, ato janë shkëputur.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth dy ditë më parë, ndërsa mjeti i djegur u zbulua dje paradite nga një gjahtar që kalonte rastësisht në zonë.
Policia greke ka hapur një hetim të gjerë për zbardhjen e rrethanave të këtij krimi të rëndë dhe për identifikimin e autorëve, ndërkohë që pritet konfirmimi i ADN-së për të përcaktuar nëse viktima është punëtori shqiptar i zhdukur.