Premtimet për rritjen e pagave, Tabaku: Propagandë e Ramës që nuk përputhet me realitetin

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar deklaratat e qeverisë për rritjen e pagave. Ajo i ka cilësuar si propagandë që nuk reflekton realitetin ekonomik të familjeve shqiptare.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se vetë qeveria ka pranuar rritjen dramatike të çmimeve të produkteve bazë, nga 30% deri në 60%, që po rëndon buxhetet e qytetarëve.

“Qeveria pranoi rritjen e çmimeve, por ofron vetëm çikërrima si rritje pagash dhe pensionesh, të cilat nuk lidhen me realitetin që përjetojnë familjet shqiptare”, tha ajo.

Deputetja thekson se ekonomia shqiptare është e kontrolluar nga pak duar, duke prodhuar vetëm për një pakicë, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me ulje të fuqisë blerëse dhe mungesë mbështetjeje reale nga shteti. Ajo shton se “nuk mundet që një familje që shpenzon 40% të buxhetit vetëm për ushqime të trajtohet si histori suksesi nga propaganda qeveritare”.

Tabaku apelon për një ndryshim të modelit ekonomik, që të shërbejë për shumicën e shqiptarëve dhe jo për oligarkët.

Next