Mikel Hoxha, i shpallur në kërkim prej 7 vitesh për plagosje me armë zjarri, është ekstraduar drejt vendit tonë nga Mbretëria e Bashkuar. 33-vjeçari është dënuar nga Apeli i Durrësit me 5 vite burg në vitin 2021 pasi plagosi me armë zjarri shtetasin Admir Haruni në qytetin e Gramshit, ngjarje e ndodhur 6 qershor 2018.
Fillimisht, Mikel Hoxha u dënua në mungesë më 23 prill 2021, me 17 vite burg për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. Por togat e zeza të Apelit të Durrësit i ulën dënim në 5 vite duke i ndryshuar akuzat në “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja ndodhi përballë komisariatit të policisë në Gramsh, ku nga të shtënat mbeti i plagosur Admir Haruni, banor i zonës.
Njoftimi i policisë:
Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar, një shtetas i dënuar me 5 vjet burgim, për plagosje të rëndë me dashje dhe për armëmbajtje pa leje.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Mançester, Mbretëria e Bashkuar, u krye ekstradimi nga Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Mikel Hoxha, 33 vjeç.
Shtetasi Mikel Hoxha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Durrës, në vitin 2021, e ka dënuar me 5 (pesë) vjet burgim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Shtetasi Mikel Hoxha, në datën 06.06.2018, në qytetin e Gramshit, pas debatit të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në kofshë shtetasin A. H., duke i shkaktuar lëndime serioze.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançester / Mbretëri e Bashkuar, u bë e mundur arrestimi i tij, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.