Katërnjakët e sapolindur rrezikojnë të humbasin shikimin, prindërit kërkojnë ndihmën e shqiptarëve për t’i shpëtuar

Një histori prekëse po vjen nga një familje e re shqiptare, që vetëm pak javë më parë u bekuan me katërnjakë – dy vajza dhe dy djem – por gëzimi i lindjes është shoqëruar me një sfidë të rëndë shëndetësore.

Dy nga foshnjat e sapolindura po përballen me hemorragji në sy për shkak të çarjes së arterieve, ndërsa edhe dy të tjerët rrezikojnë të pësojnë të njëjtin fat nëse nuk ndërhyhet urgjentisht. Sipas mjekëve, rreziku më i madh është humbja e përhershme e shikimit, ndaj katërnjakët kanë nevojë të dërgohen sa më shpejt për trajtim jashtë vendit.

Përballë shpenzimeve të mëdha mjekësore dhe pamundësisë për t’i përballuar vetë, prindërit, Geraldo dhe Rozefa, kanë bërë apel për ndihmë tek shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Ata kanë hapur një faqe GoFundMe, ku synojnë të mbledhin 100 mijë euro që do t’u japin katër vogëlushëve mundësinë e operacionit dhe shpresën për të parë dritën e jetës.

“Jemi të dëshpëruar, por kemi besim tek zemra e madhe e shqiptarëve. Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të bëjë ndryshimin mes errësirës dhe dritës për fëmijët tanë,” shprehen prindërit me lot në sy.

Kushdo që dëshiron të ndihmojë mund të kontribuojë në faqen zyrtare të GoFundMe që ka hapur familja, për të shpëtuar shikimin e katër engjëjve të vegjël që sapo kanë nisur jetën ose mund ti kontaktoni në nr e telefonit: +355 68 835 8192.

Next