Gati 100 milionë euro janë parashikuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për rritjen e pagave në administratën qendrore dhe vendore. Ministri i Financave, Petrit Malaj tha në Komisionin e Ekonomisë se do të jenë 144 mijë punonjës që do të përfitojnë.
“Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve në paga, përfshirë edhe rritjen e pagës minimale dhe indeksimin periodik, është vlerësuar në rreth 10 miliardë lekë dhe prek mbi 144.000 punonjës në administratën qendrore dhe vendore. Në tërësi ky buxhet përfaqëson një balancë të qëndrueshme midis politikave sociale dhe disiplinës fiskale, duke krijuar hapësirë reale për zhvillim, drejtësi sociale dhe përmirësim të standardeve të jetesës”, tha Malaj.
Malaj dha edhe disa shembuj se si do të rriten pagat për kategori të caktuara nga mësuesit tek bluzat e bardha.
“Pagat e mësuesit të shkollës nëntëvjeçare do të rriten me 3000 lekë në muaj duke e çuar pagën mesatare bruto të këtyre mësuesve nga 96300 lekë në muaj në rreth 100000 lekë në muaj. Paga mesatare bruto, e mjekut të përgjithshëm, me rritjen e parashikuar, do të arrijë në rreth 143,446 lekë në muaj, ndërsa ajo e infermierëve do të arrijë në 92,526 lekë në muaj. Paga bruto mesatare në administratën publike, për punonjësit buxhetorë në vitin 2026 do të shkojë rreth 112,000 lekë në muaj”, tha Malaj.
Për herë të parë në vitin e ardhshëm pagat e administratës publike do të indeksohen me 2.5%, për të kompensuar rritjen e inflacionit. Qeveria pret që indeksimi i pagave me normën e inflacionit të ndiqet edhe nga privati.