Gati 15 vite pas krimit shtetëror të 21 janarit, ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet për herë të parë me SPAK. Burime për Report Tv bëjnë me dije se SPAK e ka thirrur Berishën që të paraqitet ditën e premte në orën 10:00 para prokurorit të çështjes, Alfred Shehu. Ish-kryeministri pritet të merret në pyetje si person që ka dijeni për vrasjet e 4 protestuesve në bulevard me plumbat që u derdhën nga Kryeministria.
I ftuar në një emision televiziv, avokati Spartak Ngjela tha një zhvillim i tillë vjen pas presionit ndërkombëtar.
“Koha duhet të kishte ecur përpara, por kjo është pas ndërhyrjes ndërkombëtare, të institucioneve të larta dhe gjyqësore, por edhe politike. Nuk është gjë e lehtë të vriten 4 persona, në një tubim paqësor. Berisha ka qenë kryeministër, është i detyruar të shkojë. Edhe Basha ishte ministër i Brendshëm dhe natyrisht. Jemi në hetim, nuk jemi në gjyq, nuk janë të pandehur. Por fakti që ndërkombëtarisht kjo kërkohet, që të zbardhet çfarë ka ndodhur, kush i ka vrarë, pse janë vrarë dhe kush u ka dhënë urdhrat, duhet të hetohet”,- tha Ngjela.
Avokati sqaroi se sipas Procedurës Penale, nëse Berisha refuzon fletëthirrjen më shumë se 2 herë, ai do të shoqërohet me forcë në Prokurorinë e Posaçme nga policia.
“Fletëthirrja një herë refuzohet, herën e dytë ata të marrin me dhunë”,- tha Ngjela.