U sorollat prej 3 vitesh, Fiks Fare zgjidh problemin e qytetares nga Kosova që donte pasaportë shqiptare

Disa muaj më parë, Fiks Fare transmetoi problematikën e një të reje nga Kosova, Sihana Qarkaxhija, e cila ka ardhur prej 15 vitesh në Shqipëri, ka bërë shkollën 5 vite, në punë me kontratë prej 10 vitesh, e martuar me një shqiptar dhe ka një fëmijë 3 vjeç, e cila s’merrte dot pasaportën shqiptare.

Zyrat e shtetit e sorollasnin dhe ajo e bashkëshorti i saj, Klaudjo Jonuzaj, endeshin në dyert e policisë, ministrisë dhe presidencës. Punonjësit i kthenin disa herë dokumentet, njëherë humbën 1 vërtetim, herën e dytë nga zvarritja skaduan dokumentet, një herë se kërkonin provim të gjuhës shqipe dhe në fund kontrata e qirasë, e bërë para noteri, s’është e ligjshme!

Klaudjo Jonuzaj tha se Sihana ishte sorollatur prej shumë vitesh që të marrë shtetësinë, pasaportën shqiptare dhe se i kanë plotësuar 4 herë letrat. Një punonjëse e Komisariatit të Policisë Nr.2 i thotë se tashmë sajojnë lloj-lloj dokumentesh dhe i kthejnë për gjënë më të vogël. Fiksi kontaktoi me oficerin e policisë që merrej me këtë problem, i cili përgjigjet se të plotësojë dokumentin e qirasë dhe s’ka më zvarritje. Për dokumentet e tjera do të kujdesej ai.

Disa muaj pas transmetimit të këtij rasti, Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka firmosur dekretin “për dhënie shtetësie shqiptare znj. Sihana Qarkaxhija”.

“Më në fund, pas një zvarritje disa vjeçare Sihana mori shtetësinë shqiptare. Kishim mbi 3 vjet që endeshim në këto dyer dhe tashmë doli dekreti. As vetë nuk i besojmë, pasi mendonim se ishte një shaka”-, pohon ai.

Klaudjo thotë se, pasi kronika u transmetua, zyrtarët i kërkuan vetëm një sqarim për kontratën e qirasë.

“Çuditërisht s’na hapën probleme me dokumentet që i përsëritëm disa herë për shkak të zvarritjes. Falënderoj Fiks Fare për punën e palodhur. Pa ndihmën tuaj, do të endeshim sërish në dyert e këtyre institucioneve”,- përfundon ai.

Next