Biznesmeni Valon Ademi pretendon se ka investuar në projektin për aeroportin e Vlorës, që në ditën e parë. Në studion e “Opinion”, këtë të mërkurë, 12 nëntor, ai deklaroi se “kompania turke YDA Group dhe ajo e Behgjet Pacollit (Mabetex) kishin frikë të investonin”.
“Investimi në atë projekt ka nisur që nga dita e parë, këtu edhe garancinë e kontratës e kam paguar unë. Aviacioni në vitin 2021 ishte në një krizë, që kujtdo t’i thoje që do investoj, të shikonin si budalla. Ata (Pacolli dhe kompania turke) nuk e donin këtë projekt. Madje kishin frikë sepse kishte rrisqe të larta”, tregoi Ademi.
“Unë kam të gjithë dokumentacionin, faturat, librat ndërtimorë, sepse aty nuk është Netflix, është një kompani që ka investuar afërsisht 25 milion euro, kryesisht në infrastrukturën e pistës me aksesorët rreth e rrotull”, u shpreh ai.
Po kush e garantoi kredinë?
“Garantuam ne me çfarëdo që kemi dhe u kërkua një kolateral shtesë tranzitor deri në përfundim të ndërtimit, për t’u siguruar banka që lekët do shkojnë te aeroporti. Të 56 milionët janë investuar te aeroporti. Ai ka problem, se unë s’kam as te kredia problem.”
Sipas Ademit, aeroporti i Vlorës do të hapet më 1 mars 2026, pavarësisht se situata duket tejet komplekse.
“Do e hapim në 1 mars. Do ulim avionin dhe do vazhdojmë operimet. Ne s’shesim bileta, e di çfarë kërkese ka Blendi?! Të hatashme, nga të gjitha kompanitë! Wizz Air, Ryanair, këto kompanitë low cost.”
Pse e denoncoi Pacollin në Prokurori?
“Mashtrim! O Blendi shitja e aeroportit o vëlla, e ka shit o Blendi”, u përgjigj Ademi.
Sipas tij, Pacolli e ka shitur aeroportin e Vlorës.
“Kontrata e Delpho nuk është kontratë kredie, por marrje me dhunë! Problemi është kontrata e shitjes, marrje me dhunë e aeroportit. Ore nuk do e marrin! Kur lexon kontratën thua ore kush është ky njeri që merr këtë lloj borxhi?! Compartment Bernina nuk e di njeri se kush është, ai do marrë aeroportin. Inshallah nuk janë rusë, se do dalë edhe tradhtar, deri këtu është në nivelin e mashtrimit. Po na doli rusi, do dalë edhe tradhtar ky. Delpho nuk është bankë!”, tha Ademi.
Sa i takon këtij konflikti mes aksionerësh që ka përfunduar në dyert e Prokurorisë, është diskutuar në “Opinion” , edhe më 20 tetor. Kompania Mabco Constructions SA, e përfaqësuar nga Behgjet Pacolli, e cila ka aktualisht të regjistruara 98% të aksioneve, pretendohet se ka marrë kredi nga një grup i panjohur, që në kushtet e kontratës merr në dorë Aeroportin e Vlorës.
