Kudo që ndodhet, më tepër sesa për zhvillimet apo detyrat politike, kryeministri Edi Rama do të bëjë zë për paraqitjen apo për ndonjë çast të regjistruar pas kamerave.
Sot i ndodhur në Romë për një takim të nivelit të lartë me qeverinë italiane, Rama i filmua në rrugët e kryeqytetit të Italisë duke folur në telefon i irrituar. Nga termat e përdorur duket se flet me një prej vartësve të tij, të cilit i kërkon llogari për një çështje.
“Lere grupin, po ti ti, po flas me ty. A je ti bashkëkryetar, apo ça je? Çfarë bën ti? Për çfarë je bërë bashkëkryetar, të krijosh pengesa? Për çfarë je bërë bashkëkryetar, na keni kthyer 1 mijë vite mbrapa”, dëgjohet të thotë Rama.
Sot në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në ‘Real Story’, Rama shmang dhënien e sqarimeve duke thënë se nuk e ka parë se çfarë është bërë publike në media. Ai shtoi se gjithë kohës flet në telefon, si dhe shpesh zbret e shkallë për të folur me bashkëkryetarë organizatash.
“Po unë flas në telefon gjithë kohës me shumë njerëz. I kapërcej këto shkallët, zbres dhe deri poshtë ku ka bashkëkryetar organizatash. Nuk e di cfarë kanë nxjerrë, nuk i kam parë”, tha Rama.
