Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit dhe Rrjeti për Zbatimin e Krimeve Financiare (FinCEN) u bashkua me Qeverinë e Meksikës për të goditur Grupin e Krimit të Organizuar “Hysa” dhe një numër pikash bastesh të bazuara në Meksikë, të përfshira në pastrim parash të lidhura me kartelet dhe një sërë aktivitetesh të tjera kriminale në të gjithë Meksikën dhe Evropën.
Kjo masë e koordinuar është rezultat i angazhimeve të fundit SHBA-Meksikë, të arritura gjatë vizitës së Nënsekretarit të Thesarit për Inteligjencën Financiare dhe Kundërterrorizmin, John K. Hurley, për të punuar bashkë më ngushtë në luftën kundër narkotrafikut dhe krimit financiar të lidhur me kartelet me bazë në Meksikë dhe grupe të tjera.
“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit në Meksikë. Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: ju do të mbani përgjegjësi,” tha Nënsekretari i Thesarit për Inteligjencën Financiare dhe Kundërterrorizmin, John K. Hurley.
OFAC vendosi sanksione ndaj 27 individëve dhe entiteteve, dhe FinCEN propozoi një masë të veçantë për të shkëputur 10 pika bastesh të bazuara në Meksikë nga qasja në sistemin financiar amerikan, për shkak të shqetësimeve për pastrim parash.
SANKSIONET E OFAC QË TARGETOJNË GRUPIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR “HYSA”
Grupi i Krimit të Organizuar Hysa (HOCG), i cili përfshin anëtarët e familjes Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa, dhe Fabjon Hysa, ka përdorur ndikimin e tij përmes investimeve ose kontrollit mbi biznese të ndryshme të bazuara në Meksikë, duke përfshirë pika bastesh dhe restorante, për të pastruar të ardhurat e trafikut të narkotikëve.
Raportohet se grupi HOCG operon në bashkëpunim me Kartelin Sinaloa, i cili mban kontroll kriminal mbi shumicën e territorit ku grupi ushtron aktivitetin.
Luftar Hysa, i bazuar mes Meksikës dhe Kanadasë, shihet shpesh në media si një figurë kryesore e familjes Hysa, duke dhënë intervista publike për bizneset e tyre në Meksikë dhe Evropë. Luftar Hysa, Fatos Hysa, Arben Hysa dhe Fabjon Hysa, kanë punuar ngushtësisht me një shtetas amerikan për pastrim parash, duke përfshirë lëvizjen e sasive të mëdha të parasë nga Meksika në SHBA, ku kompania e shtetasit amerikan është përdorur për pastrimin e fondeve.
Luftar Hysa dhe Arben Hysa kanë përdorur gjithashtu një entitet të bazuar në Evropë për të përfituar nga pastrimi i fondeve të paligjshme që i përkasin të dyshuarve për narkotrafik. Luftar zotëron ose drejton disa kompani të përdorura nga HOCG.
Arben Hysa zotëron ose drejton disa kompani të përdorura nga HOCG në Meksikë. Ai ka qenë i përfshirë në kontrabandimin e sasive të mëdha të parasë drejt SHBA për qëllime pastrimi, si dhe në përdorimin e pikave të basteve dhe restoranteve luksoze në Meksikë për pastrim parash të drogës.
Ramiz Hysa ka qenë i përfshirë në përdorimin e pikave të basteve dhe restoranteve luksoze në Meksikë si mbulim për pastrim të të ardhurave nga shitja e narkotikëve.
Fatos Hysa, së bashku me Luftarin, Arbenin dhe Fabjonin, ka qenë i përfshirë në kontrabandimin e sasive të mëdha të parasë në SHBA për të pastruar para. Fatosi dhe Fabjoni janë përfshirë gjithashtu në përdorimin e një entiteti në Evropë për të përfituar nga pastrimi i fondeve të paligjshme.
Me veprimin e sotëm, OFAC po synon gjithashtu disa individë dhe subjekte brenda rrjetit të HOCG-së. Entretenimiento Palmero, SA de CV , me seli në Meksikë, në pronësi të Arbenit, është qendrore për operacionet e HOCG-së. Shtetasi meksikan Gilberto Lopez Lopez vepron si komisioner i saj.
Shtetasja shqiptare, por me seli në Meksikë, Eselda Baku (më parë Eselda Hysa), vajza e Ramizit, është pjesë e Bordit të Drejtorëve. Kompani të tjera të synuara nga ky veprim përfshijnë:
Bliri SA de CV (Meksikë)
Cucina Del Porto SA de CV (Meksikë)
Diversiones Los Mochis SA de CV (Meksikë)
El Arte de Cocinas dhe Beber SA de CV (Meksikë)
Entretenimiento Villahermosa SA de CV . (Meksikë)
Entretenimiento Y Espectaculos BCSA de CV (Meksikë)
Grupo Internacional Canhysamex SA de CV (Meksikë)
H Hidrocarburos SA de CV (Meksikë)
Hysa Forwarders SA de CV (Meksikë)
LH Pro-Gaming SA de CV (Meksikë)
LH Rental SA De CV (Meksikë)
Operadora Alejil SA De CV (Meksikë)
Operadora de Empresas LH SA de CV (Meksikë)
Procesadora de Alimentos Hs SA de CV (Meksikë)
Rosetta Gaming SA de CV (Meksikë)
Hysa Holdings Inc (Kanada)
Rosetta Gaming Inc (Kanada)
Rosetta Gaming SP ZOO (Poloni)
“Thesari po e përcakton Grupin e Krimit të Organizuar Hysa sipas Urdhrit të Procedurës Operacionale 13581, të ndryshuar, si person të huaj që përbën një organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale”, thuhet në njoftim.
PASOJAT E SANKSIONEVE
Si rezultat i kësaj mase:
E gjithë pasuria dhe interesat në pasuri të personave të sanksionuar që gjenden në SHBA ose janë në posedim të personave amerikanë, bllokohen dhe duhet të raportohen në OFAC.
Çdo entitet i zotëruar 50% ose më shumë nga persona të sanksionuar, bllokohet automatikisht.
Ndalohet që personat amerikanë të kryejnë transaksione me këta individë apo kompani.
Shkeljet e sanksioneve mund të sjellin gjoba civile ose penale, për persona amerikanë ose të huaj.
Institucionet financiare të huaja rrezikojnë gjithashtu sanksione dytësore nëse kryejnë transaksione të rëndësishme për llogari të personave të sanksionuar.
Paralelisht, dhe në koordinim me OFAC dhe Qeverinë e Meksikës, FinCEN publikoi një njoftim për propozim-rregullore (NPRM), në bazë të seksionit 311 të Aktit USA PATRIOT, duke identifikuar transaksionet që përfshijnë 10 pika bastesh të bazuara në Meksikë si një kategori transaksionesh që përbëjnë shqetësim parësor për pastrim parash.
HOCG operon këto pika bastesh, të cilat prej vitesh janë përdorur për të lehtësuar pastrimin e parave që përfiton Karteli Sinaloa.
Pikat e basteve janë:
Emine Casino, San Luis Rio Colorado, Sonora, Meksikë
Casino Mirage, Culiacán, Sinaloa, Meksikë
Midas Casino, Agua Prieta, Sonora, Meksikë
Midas Casino, Los Mochis, Sinaloa, Meksikë
Midas Casino, Guamuchil, Sinaloa, Meksikë
Midas Casino, Mazatlán, Sinaloa, Meksikë
Midas Casino, Rosarito, Baja California, Meksikë
Palermo Casino, Nogales, Sonora, Meksikë
Skampa Casino, Ensenada, Baja California, Meksikë
Skampa Casino, Villahermosa, Tabasco, Meksikë
Për të adresuar rreziqet e paraqitura nga këto pika bastesh, FinCEN propozon në NPRM vendosjen e një masë të veçantë që do të:
1. Ndaloje institucionet financiare të mbuluara të hapin ose të mbajnë një llogari korrespondente për çdo institucion bankar të huaj, nëse një llogari e tillë përdoret për të përpunuar transaksione që përfshijnë ndonjërën nga pikat e basteve; dhe
2. Kërkoje që institucionet financiare të mbuluara të zbatojnë kujdes të veçantë për llogaritë e tyre korrespondente, të dizajnuar në mënyrë të arsyeshme për të mbrojtur kundër përdorimit të atyre llogarive për të përpunuar transaksione që përfshijnë cilëndo nga pikat e basteve.
