Gazetarja Klodiana Lala ishte e ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” ku komentoi atentatin e pasdites së djeshme pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit ndërsa mbeti i plagosur miku i tij, Muçi Shaljani.
Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se policia ka shoqëruar disa persona nga zona e Niklës ndërsa ende nuk ka rezultate konkrete.
Klodiana Lala tha se gjendja e të plagosurit Shaljani është shumë e rëndë ndërsa ngriti pikëpyetje dhe kërkoi që policia të japë një shpjegim pse në zonën pranë aeroportit nuk kishte një patrullë policie.
“Emiljano Shullazi ka konflikte shumë të forta. Janë skeduar dhe ka pasur disa të shoqëruar nga Nikla. Edhe dy vlonjatë kanë dashur t’i shoqërojnë, por nuk i kanë gjetur. Nuk ka ende një shpjegim se si nuk ka asnjë patrullë në pikën më strategjike të Aeroportit të Rinasit. Mund të ishin vrarë njerëz të pafajshëm.”-tha Lala.
