Miku i Gilmando Danit me hotel në mes të Tiranës, Muçi Shaljani sfidonte ligjin, trotuari para “RAMEL” i bllokuar me vazo lulesh (Foto)

Muçi Shaljani, miku i Gilmando Danit dhe agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i cili u plagos rëndë në atentatin e Rinasit, kishte sfiduar ligjin me hotelin në qendër të Tiranës. Biznesi i tij me emrin “RAMEL” kishte zënë një korsi të rrugës “Spiro Dedja” me vazo me lule.

Siç shihet dhe nga pamjet që hoteli reklamon vetë në rrjetet sociale, një korsi e rrugës është e mbyllur me vazo të mëdha lulesh prej betoni, të cilat krijojnë hapësirë ekstra në oborrin e jashtëm të hotelit, për të vendosur tavolina.

Mesa duket, njohja me eksponentë të lartë të krimit në atë zonë ku vepron kryesisht grupi i Emiljano Shullazit, por dhe detyra që kishte marrë në Shtator 2025 si agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i kishin siguruar paprekshmëri Muçi Shaljanit.

Në një kohë kur qeveria ka ndërmarrë aksionin kombëtar për lirimin e hapësirave publike, në ambientet e biznesit të Mustafa Sheqerit alias Muçi Shaljani nuk kishte mbërritur askush, pavarësisht se ai kishte zënë rrugën.

Këtë fakt e ka pohuar dhe mbrëmjen e djeshme gazetarja Klodiana Lala, e cila zbuloi detaje mjaft interesante nga jeta e Gilmando Danit duke thënë se ky i fundit shoqërohej gjatë gjithë kohës nga Muçi Shaljani dhe qëndronte në hotelin e tij, “Ramel” i cili ka zënë hapësirë publike në Tiranë.

Newsbomb.al raportoi ekskluzivisht pasditen e djeshme, se agjenti rreth 40 vjeç merrej me “marrjen dhe dhënien me qira të pasurive të paluajtshme” dhe prej vitit 2018, kishte në pronësi hotel “RAMEL” më Tiranë.

Hotel RAMEL ishte njohur zyrtarisht dhe nga Ministria si strukture akomoduese

Nga një verifikim i redaksisë, rezulton se ky hotel ishte i licensuar dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, e cila në vitin 2022, e kishte njohur “RAMEL” zyrtarisht si strukturë akomoduese të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.

Mustafa Sheqeri alias Muçi Shaljani ishte shofer i mjetit luksoz Mercedes Benz S Class dhe pasagjer në vendin e parë kishte Gilmando Danin.

Next