Ngjarje e rëndë në Tiranë, 2 femra marrin peng një djalë të ri, e mbajnë peng dhe e dhunojnë për orë të tëra

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku dy femra në bashkëpunim me tre meshkuj kanë rrëmbyer, mbajtur peng dhe dhunuar një djalë të ri për orë të tëra.

Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë më 10 nëntor dhe policia sot njoftoi se ka arrestuar dy vajzat e akuzuara.

M.M, 21 vjeçe dhe S.C, 25 vjeçe kanë rënë në prangat e policisë së kryeqyetit pasi akuzohen se tre ditë më parë së bashku me tre djem, morën peng një 27-vjeçar.

Në lidhje me ngjarjen është në kërkim Klajdi Limani i dyshuar si njëri nga bashkëpunëtorët. Më herët pas ngjarjes u arrestuan Lusjan Kimza dhe Asmireld Nimani, që të dy, 24-vjeçarë.

Çfarë ndodhi më 10 nëntor

Këtë të hënë, pesë të rinjtë, në rrethana ende të paqarta, rrëmbyen djalin 27 vjeçar dhe e mbajtën peng të izoluar brenda një apartamenti në Tiranë.

Gjatë kësaj kohe ata e kanë dhunuar verbalisht dhe fizikisht të riun.

Në këtë vorbull të errët, pesë bashkëpunëtorët në krim i kanë kërkuar me forcë 27 vjeçarit, shumën prej pesë mijë eurosh.

Sipas policisë, 2 nga të arrestuarit të cilët u prangosën pas ngjarjes, Lusian Kimza dhe Asmireld Nimani, si dhe 3 bashkëpunëtorët, arritën që përmes dhunës dhe presionit ta detyrojnë të riun të shkojë në banesën e tij dhe të marrë 5.000 euro, të cilat u gjetën në dhomën ku ai mbahej.

Por edhe pasi 27-vjeçari u dha paratë, ata e kërcënuan t’u japë edhe 5 mijë euro të tjera.

Hetimet sugjerojnë se e dyshuara S.C më herët ka qenë në një lidhje me 27-vjeçarin, ndërsa dyshohet se kishte lidhje edhe me Lusian Kimzën.

Në një moment, Lusiani ka zbuluar se e dashura e tij S.C komunikonte me mesazhe me djalin 27 vjeçar dhe kërkoi t’i merrnin atij para. Ishte pikërisht S.C e cila u përdor si karrem për të nxjerrë në takim 27-vjeçarin.

Duke folur zyrtarisht mbi këtë ngjarje, policia e Tiranës tha sot se në vijim të operacionit policor të koduar “Kufizimi”, i zhvilluar 3 ditë më parë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas, janë kryer kontrolle për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Si rezultat, u vunë në pranga shtetaset M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.

Nga hetimet dyshohet se këto 2 shtetase, 2 shtetasit e arrestuar gjatë operacionit dhe shtetasi në kërkim K. N., kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit, duke i hequr lirinë, për disa orë, dhe duke e dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti.

Ndërsa punohet për kapjen e shtetasit K. N., materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme. /noa.al

Next