Skandali me tenderat e tunelit të Llogarasë! Si i fshehu Balluku ankesat e kompanive dhe favorizoi turqit

Emisioni Vetting

Më 19 Qershor 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapte garën ndërkombëtare për rishikimin e studimit të fizibilitetit dhe hartimin e projektit inxhinierik “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë” me fond limit 624 milionë lekë ose 6 milionë euro. Në garën për projektimin e tunelit morën pjesë 8 kompani, nga të cilat 6 u skualifikuan automatikisht nga Ministria e Infrastrukturës, për mosplotësim kushtesh.

Më tetor 2020, institucioni publik do të shpallte fitues konsorciumin e kompanive “SEED Consulting”, “InfraKonsult”, “iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh”, “ELEA iC d.o.o” dhe “IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring”, me ofertë 618 milionë lekë ose rreth 6 milionë euro.

Në garë u kualifikuan edhe bashkimi i kompanive “SWS Engineering” spa , “LLAZO” shpk dhe “NET-GROUP” me ofertë 540 milionë lekë. Kjo e fundit është kompania e Valter Begajt, ish-ortaku i ish Drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, që të dy të arrestuar dhe nën hetim nga SPAK për tenderat e fituar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Pas përfundimit të garës për studimin e fizibilitetit, më 14 dhjetor 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapte garën për tenderin e parë për “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë) me fond limit 19 miliardë lekë ose 190 milionë euro.

Ky tunel parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 6 kilometrash dhe nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas përllogaritjeve, duke kaluar përmes këtij tuneli, me një shpejtësi 50-80 km/orë, koha për të kaluar nga një anë e Llogarasë në tjetrëen do të jetë 7- 10 minuta. Tuneli do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij nga dy ura. Kalimi i automjeteve të transportit rrugor në këtë tunel do të jetë me pagesë.

Sipas avokatit Leonard Karaj zbulohet se kemi mosrealizim punimesh me vlerë deri në 3 miliardë lekë, që lidhen me urat.

“Në projekt janë përcaktuar qartë dy ura të valëzuara, një në hyrje dhe një në dalje të tunelit. Këto ishin më tepër dy ura që do t’i jepnin bukurinë asaj vepre dhe kushtojnë 25-30 milionë euro. Urat rezultojnë brenda projektit, por nuk janë realizuar nëse shkoni në vendin ku është zhvilluar projekti”, u shpreh avokati Karaj.

Por në dokumentet e tenderit të parë është specifikuar se kompania që do të shpallet fituese, do të ketë në dispozicion 37 muaj ose, një muaj më shumë se tre vite për të realizuar kontratën.

Gara për tenderin, i cili më vonë do të anulohej, do të shfaqte indiciet e para për korrupsion. “Vetting” do të zbulonte me fakte se si në këtë garë do të diskriminoheshin kompani që kanë fuqinë dhe eksperiencën për të realizuar projekte të tilla. Konkretisht, sipas dokumenteve, kompania garuese duhet të demonstrojë kapacitetin teknik për realizimin e tunelit, si dhe të plotësojë disa kushte specifike. Sipas Dokumenteve Standarteve të Tenderit (DST) kompania garuese duhet të demonstronte përvojën e suksesshme si kontraktor kryesor për një kontratë ose kontrata që përfshijnë minimalisht ndërtimin e 4 (katër) urave me gjatësi për urë prej të paktën 120 m.

Në këtë fazë vjen edhe një pyetje: Përse një kompani garuese në këtë tender duhet të ketë ndërtuar patjetër një projekt me 4 ura, me gjatësi 120 m, kur projektin mund ta realizojë edhe nëse ka ndërtuar një urë me gjatësi 500 m?

Nga dosja e SPAK evidentohet se shumë kompani kanë bërë ankesa për tenderin e parë të anuluar para se të aplikonin pasi kishte kritere diskriminuese, por këto nuk janë marrë parasysh nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Nga komunikimet midis zv.kryeministres Balluku dhe ish drejtorit të ARRSH-së zbulohet se për tenderin e parë të tunelit të Llogarasë, Balluku do të urdhëronte Berberin ta anulonte.

Vetë Ligji nr. 162/2020 i Prokurimeve Publike ka si synim të sigurojë mirëpërdorimin e fondeve publike dhe të nxisë pjesëmarrjen e kompanive private në procedurat e tenderave. E thënë shkurt, të realizohen projektet sipas kushteve të përcaktuara me çmimin më ekonomik. Madje, ky ligji ka një nen specifik për rastin e diskriminimit të operatorëve ekonomikë.

Vetëm duke konstatuar kriteret specifike që janë vendosur te tenderi për ndërtimin e urave, “Vetting” ka zbuluar faktin se kemi të bëjmë me shkelje të nenit 2 të ligjit të Prokurimeve Publike.

Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës parashikonte dorëzimin e ofertave për ndërtimin e tunelit të Llogorasë me 12 shkurt 2021, por e shtyu këtë afat deri në 1 mars 2021. Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, Ministria ka bërë disa ndryshime përsa u takon kritereve për kompanitë që janë të interesuara për të marrë pjesë në garë.

Konkretisht, kanë ndodhur disa ndryshime në kapitullin 12, ku gjenden kushtet specifike të kualifikimit që lidhen me kapacitetet financiare dhe ekonomike. Aty shpjegohet se për EBITDA-n, që është fitimi përpara interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit, për pesë vitet e fundit, pra për periudhën 2015-2019, ishte vendosur një shifër prej 50 milionë eurosh. Në këtë rast, ky kriter është ndryshuar dhe është ulur në 20 milionë euro.

Por Ministria nuk është ndalur me kaq, pasi ka vendosur edhe sqarime të tjera për pjesën e realizimit të një projekti të ngjashëm. Nëse në fillim të tenderit kërkohej që kompanitë të provonin se në 5 vitet e fundit kishin ndërtuar një gjatësi prej 8 kilometrash tunel, atyre, në arnimin e projektit, u kërkohet të provojnë se projektin e kanë zbatuar me një afat prej 3 vitesh.

Megjithatë, grupi i prokurimit të tenderit nën drejtimin e ministres Balluku nuk është ndalur me kaq. Nëse në fillim të projektit kërkohej që kompania të kishte realizuar punë të ngjashme me një vlerë sa 70% e fondit limit të kontratës, ajo ulet në 50% të fondit limit të kontratës.

Pra, kompania duhet të ketë realizuar projekte me vlerë 9,5 miliardë lekë ose 95 milionë euro gjatë 5 viteve të fundit.

Edhe pse Ministria ndryshoi kushtet, përsëri asnjëra nga kompanitë nuk arriti që të shpallej fituese për këtë projekt.

Një muaj më pas, në prill 2021, Ministria e Infrastrukturës do të anulonte tenderin pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nga kompanitë nuk përputhej me kriteret e përcaktuara te dokumentet.

Por kjo nuk është hera e parë që tenderat e mëdhenj prodhojnë situata të tilla, të ndryshimeve të mëdha, që shpesh përkojnë vetëm me kërkesat që vijnë nga vetë grupet e interesit. Dyshimet për korrupsion me fondet publike përforcohen nga ndryshimi i dokumenteve, por edhe nga zgjatja e afateve të këtij tenderi.

Disa muaj pas anulimit të tenderit për tunelin e Llogarasë, Ministria e Infrastrukturës do të rishpallte përsëri tenderin me fond limit 18.9 miliardë lekë. Në garë kësaj radhe do të merrnin pjesë 4 grupe kompanish. Pas studimit të dokumenteve të tenderit, Open Data Albania e shënoi me flamur të kuq.

Kjo pasi më 8 tetor 2021, Ministria e Infrastrukturës do të skualifikonte të gjithë pjesëmarrësit, me përjashtim të konsorciumit të kompanive turke “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”, të cilët u shpallën automatikisht fituese me ofertë 17 miliardë lekë ose 200 milionë euro me TVSH.

Sipas Open Data, ky tender paraqet rrezik të mundshëm për korrupsion, për shkak të skualifikimit të paqartë të konkurrentëve. Bie në sy fakti se, grupi i kompanive shqiptare dhe të huaj, “JV CONCORD ENGINEERING AND CONTRACTING”, “ALB BUILDING” shpk dhe “ALB STAR”, kishin ofertë më të ulët se kompanitë turke me vlerë 15.8 miliardë lekë. Pra, të skualifikuarit kishin një ofertë gati 12 milionë euro më pak se oferta fituese.

Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ky grup kompanish u skualifikuan sepse nuk kishin asnjë projekt të ngjashëm për ndërtimin e një ure me gjatësi 120 m.

Next