Dy fëmijë kanë vdekur nga helmimi prej ushqimit në një zonë turistike të njohur të Stambollit, në Turqi dhe prindërit e tyre po trajtohen në kujdes intensiv, raportuan sot mediat dhe autoritetet shëndetësore turke.
“Familja ishte shtruar në spital për helmim të dyshuar nga ushqimi. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, fëmijët, të moshës 6 dhe 3 vjeç, nuk mundën të shpëtoheshin. Prindërit mbeten në kujdes intensiv. Një hetim ka nisur nga drejtoria e shëndetësisë”, tha dr. Abdullah Emre Guner.
Sipas rrjetit televiziv privat NTV, duke cituar një “hetim policor”, familja është me origjinë nga Gjermania dhe ishte me pushime në Turqi.
Mediat lokale raportuan se helmimi nga ushqimi mund të ketë ardhur nga midhjet e blera nga një shitës ambulant dhe patatet e mbushura, një ushqim popullor rrugor, të cilat i hëngrën të martën në zonën turistike të Ortakoy në anën evropiane të Bosforit.
Çifti dhe dy fëmijët e tyre u shtruan në spital pasi u sëmurën, raportoi NTV.
