Atentati në Shkodër, automjeti u qëllua në lëvizje/ Konflikti nisi për shkak të një parakalimi me makinë

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e mbrëmjes së sotme në aksin Shkodër–Hani i Hotit, ku një automjet u qëllua me armë zjarri gjatë lëvizjes.

Fatmirësisht nuk ka persona të plagosur, ndërsa drejtuesi i makinës u aksidentua teksa tentoi t’i shpëtonte të shtënave dhe më pas braktisi automjetin në vendngjarje, pranë rrethrrotullimit të Koplikut.

Sipas të dhënave paraprake, incidenti dyshohet se nisi që në doganën e Hanit të Hotit për shkak të një konflikti mbi parakalimin mes drejtuesve të dy mjeteve. Debati është acaruar, duke vijuar me manovra parakalimesh deri në afërsi të Koplikut, ku njëri prej drejtuesve ka qëlluar me armë zjarri drejt makinës tjetër.

Automjeti i goditur mban pesë shenja plumbash në pjesën e pasme, ndërsa gomat dhe njëra anë e tij rezultojnë të dëmtuara rëndë, për shkak të përplasjes me bordurën e një karburanti dhe manovrave të mëparshme.

Burime policore bëjnë me dije se është identifikuar automjeti tjetër i përfshirë në konflikt, si edhe autori i dyshuar i të shtënave. Forcat e rendit kanë siguruar zonën dhe po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të ndjekur procedurat ligjore ndaj personit të dyshuar.

Investigimet janë në vijim.

Next