“Flemë mbi flori, por jemi të varfër”/ Minatorët e Spaçit prej 36 ditësh në grevë, Albert Bushpreni: Nëntoka e paralizuar, nuk ka prodhim!

Minatorët e Spaçit në Mirditë janë në protestë prej disa javësh, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre nga kompania private që menaxhon minierën.
Situata është përshkallëzuar me largime nga puna. Kompania private që operon minierën nuk ka reaguar publikisht ndaj kërkesave të punonjësve, por ka larguar nga puna rreth 40 punonjës, duke e cilësuar protestën si shkaktare të dëmeve ekonomike.

Minatorët janë paraqitur në një seancë dëgjimore në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku kanë ngritur shqetësimet për shkelje të të drejtave nga kompania.

Deputeti Gazment Bardhi ka akuzuar kompaninë për shfrytëzim të pasurisë publike pa respektuar Kushtetutën, duke theksuar se pushimi nga puna për shkak të organizimit sindikal është i paligjshëm

Në studion e “News24 Fundjavë” ishte i ftuar sot minatori Albert Bushpreni.

“Dita e 36 e grevës së minatorëve, nga kompania nuk kemi asnjë hap për t’u ulur dhe diskutuar. Ata vijojnë me kokëfortësinë e tyre. Në SPAÇ na kanë ardhur televizione, personalitete, deputetë. Të enjten ishim të ftuar në Kuvend në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Ekonomisë, ku parashtruam shqetësimet tona.

Në atë minierë tashmë nuk po punon askush. Fabrika është në punë sepse nuk është përfshirë në sindikatë por procesi i nëntokës është i bllokuar. Punojnë vetëm personeli me shtetësi turke që kryejnë mirëmbajtjen e galerive sepse nëntoka ka kushte specifike. Ne flemë mbi flori por jemi të varfër”, tha ai.

Next