Vdekja misterioze e Nunzia Cappitelli në Napoli, Itali, mbetet ende e paqartë.
51-vjeçarja u gjet në dysheme në apartamentin e saj me një plagë në pjesën e pasme të kokës dhe pranë saj ndodhej një shishe qelqi e thyer. Plaga mund të përputhet me një rënie aksidentale, ndoshta pas një sëmundjeje të papritur, por edhe me një shtytje të fortë gjatë një grindjeje.
Asnjëra pistë nuk është përjashtuar. Dyert e apartamentit ishin të mbyllura, por sipas hetuesve dera mund të hapej lehtësisht edhe nëse nuk ishte kyçur siç duhet. Nuk ka shenja vjedhjeje, as prova që dera të ketë qenë patjetër e siguruar pas hyrjes ose daljes së fundit të gruas.
Përveç partnerit 21-vjeçar, i cili e gjeti trupin bashkë me një fqinj, në dosjen e denoncimeve të viktimës ndodhet edhe një burrë tjetër, më i moshuar, të cilin ajo e kishte raportuar për ndjekje.
Ky person, megjithëse nuk lidhet drejtpërdrejt me vendin e ngjarjes, por mbetet në sfond të hetimeve. Autopsia, që do të kryhet në fillim të javës, pritet të përcaktojë nëse vdekja ka ardhur nga një sëmundje e papritur apo nga një akt i dhunshëm.
Vetëm pas këtij akti pritet të qartësohet drejtimi i mëtejshëm i hetimeve. Para shtëpisë së bllokuar nga policia, sot u vendosën lule dhe një shënim: “Për të dashurën Nunzia, lutemi për ty.”
Prifti i zonës, Don Pasquale Fioretti, tha se gruaja ishte e rezervuar dhe shpesh e vetmuar, por herë pas here ndalonte në kishë. Ai e ka parë për herë të fundit të premten e kaluar dhe sipas tij “Dukej mirë dhe u përshëndetëm.”
