Restoranti “Perla e Detit” në qendër të Kamzës është biznesi që ka qenë në shënjestër e një sulmi me tritol. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të kësaj të shtune dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale në pjesën e fasadës.
Restoranti është në pronësi të shtetasve Klodjan Murati dhe Benard Elezi, të cilët janë kunetër.
Kamerat e sigurisë së biznesit raportohet se e kanë fiksuar autorin e dyshuar teksa ka vendosur lëndën plasëse në ambientet e jashtme dhe është larguar, deri kur ka ndodhur dhe shpërthimi.

Ai është i maskuar dhe afrohet pranë restorantit “Perla e Detit”, vendos lëndën plasëse dhe largohet me vrap.
Pronarët e biznesit kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri ndaj nuk e kanë idenë se përse ju ka ndodhur një sulm i tillë. Grupi hetimor, ndërkohë po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e rrethanave të shpërthimit.
Referuar një pamje nga vendngjarje, ku një person dhe dy punonjës policie shihen përballë një ambienti të shkatërruar. Kati i parë i fasadës së godinës është me xhama të thyer dhe strukturën metalike të deformuar nga shpërthimi.
Fatmirësisht, në atë orë biznesi ka qenë i mbyllur dhe nuk ka pasoja në njerëz, por vetëm dëme të shumta materiale që janë shkaktuar nga sasia e lëndës plasëse.
