Oficerët e policisë rrezikuan jetën gjatë ndjekjes së një 32-vjeçari shqiptar me precedentë penalë i cili drejtonte mjetin në gjendje të droguar, teksa mbetën të lënduar në fund të aksionit, që u kushtoi edhe shkatërrimin e dy mjeteve të kazermës.
Gjatë kontrollit të riut iu gjetën një sasi kokaine dhe mbi 8 mijë euro cash, ndërsa ndaj tij kishte urdhër kërkimi dhe gjithashtu i dëbuar nga vendi, por kishte hyrë ilegalisht më pas.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, në zonën e Ponte San Giovanni dhe Città di Castello në Itali. Shqiptari do akuzohet për posedim të narkotikëve me qëllim shpërndarjen, rezistencë ndaj një zyrtari publik, sulm, mosrespektim të urdhrit të rihyrjes dhe drejtim mjeti nën ndikimin e narkotikëve.
I riu u pikas fillimisht duke drejtuar përgjatë rrugës shtetërore SS “3 bis” pranë daljes së Città di Castello.
Ai nuk iu bind urdhrit të oficerëve për të ndaluar dhe iku në drejtim të Perugias. I ndjekur dhe nga ekipe të tjera lokale që kishin mbërritur për të ndihmuar, i dyshuari menjëherë ndërmori manovra shmangëse që rrezikuan sigurinë e të tjerëve, duke goditur njëra pas tjetrës dy automjete të karabinierëve dhe duke vazhduar të ikte derisa doli nga rruga.
32-vjeçari u ndalua menjëherë nga karabinierët ndërsa përpiqej të ikte, por fillimisht rezistoi, përpara se të neutralizohej. Pas kryerjes së një kontrolli personal dhe të automjetit, atij iu gjetën të fshehura 21 gramë kokainë të cilat u sekuestruan së bashku me 8,500 euro para cash, që besohet të jenë të ardhurat e mundshme të krimit.
Pas hetimit dhe ekzaminimeve mjekësore, oficerët pësuan lëndime të lehta, ashtu si edhe 32-vjeçari, i cili, pasi iu nënshtrua testeve toksikologjike, u zbulua se kishte drejtuar automjetin nën ndikimin e drogës.
Lidhur me të kaluarën kriminale të mëparshme, hetimet e kryera nga Karabinierët zbuluan se i riu ishte subjekt i një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria Publike e Forlì-t për sjellje të ngjashme dhe të rënda kriminale kundër personelit të policisë rrugore në Fano, më 7 nëntor 2019.
Ai u largua nga vendi i ngjarjes pasi shkaktoi aksidente rrugore dhe lëndime, disa shumë të rënda, tek qytetarët. Shqiptari gjithashtu kishte shkelur ndalimin e rihyrjes në Itali. Pas përfundimit të formaliteteve të kërkuara, i arrestuari u dërgua në burgun e Perugia-Capanne.
