Zbardhet brenda 24 orëve dhe dokumentohet, si rezultat i aplikimit të metodave proaktive, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse.
Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 3 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit:
-J. L., 31 vjeç, F. D., 30 vjeç, F. M., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.
