Jude Bellingham është vënë në qendër të kritikave në Angli pas një episodi të pazakontë gjatë ndeshjes Angli–Shqipëri, e fituar 0-2 nga skuadra e Thomas Tuchel.
Mesfushori i Real Madridit, i cili u rikthye titullar pas ndeshjes ndaj Serbisë, u vlerësua si një nga lojtarët më pak ndikues në pjesën e parë — por ajo që shkaktoi bujë ishte një gjest jashtë fushës së lojës.
Sapo arbitri sinjalizoi fundin e pjesës së parë, kamera kapën momentin kur Kristjan Asllani i kërkoi Bellingham-it të ndërrojnë fanellat, me anglezin që pranoi menjëherë. Ky veprim, i kryer në mes të ndeshjes, irritoi një pjesë të mirë të tifozëve anglezë, të cilët shpërthyen në rrjete sociale.
“The Sun” shkruan se fansat u habitën dhe u zemëruan, duke komentuar:
“Bellingham po ndërron fanellën në pushim? Kjo bëhet në fund të ndeshjes!”
“Të paktën prit deri në fund… loja ka marrë fund.”
“Këtë gjë nuk e dua në futboll, hiqe si zakon.”
Pas ndeshjes, trajneri Thomas Tuchel u pyet për episodin dhe e komentoi duke theksuar se nuk e pëlqen personalisht këtë praktikë në pushim loje, por shtoi se “kohët kanë ndryshuar” dhe se futbollistët sot e shohin ndryshe etikën e fushës.
Ndeshja shënoi edhe rikthimin e Bellingham si titullar me Anglinë pas qershorit, pasi lojtari kishte munguar në grumbullimin e mëparshëm për shkak dëmtimi, situatë që kishte rindezur zërat për një krisje në marrëdhënien e tij me Tuchel. Kritikat e vjetra të trajnerit, i cili më herët kishte cilësuar disa sjellje të 22-vjeçarit si “të papranueshme”, vetëm sa shtuan zhurmën rreth këtij episodi.
Në fushë, Anglia mori fitoren dhe tre pikët, por jashtë saj, veprimi i Bellingham vazhdon të bëjë jehonë në mediat britanike./Top Channel
