Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në shtetin e Michiganit, në SHBA, ku një 44-vjeçar shqiptar është qëlluar për vdekje me armë zjarri jashtë restorantit ku punonte. Viktima është identifikuar si Francesk Shkambi, me banim në Howell, i cili ishte menaxher dhe bashkëpronar i restorantit Prime 7 në Commerce Township.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 me orën lokale, teksa Shkambi u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit. Ai u transportua në spital, por ndërroi jetë pak më vonë për shkak të plagëve nga arma e zjarrit.
Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u dorëzua vetë në polici dhe u vu në pranga pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet se është arma e krimit; sipas autoriteteve, ajo rezultonte e vjedhur më parë.
Policia bën me dije se viktima dhe autori njiheshin personalisht me njëri-tjetrin dhe se mes tyre kishte një konflikt që ishte përshkallëzuar kohët e fundit. Shkaku i saktë i përplasjes mes tyre nuk është bërë publik ende, ndërsa çështja pritet t’i kalojë prokurorisë për ngritjen e akuzave.
Familjarët dhe stafi i restorantit e kanë përshkruar Shkambin si një njeri të dashur, punëtor dhe të përkushtuar ndaj komunitetit. Restoranti Prime 7 njoftoi se pas ngjarjes do të qëndronte i mbyllur për shkak të ngjarjes së rëndë.
Siç rezulton nga të dhënat publike, ai ishte i afërm i Elvis Shkambit, 30-vjeçarit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë, më 6 tetor.
Francesk Shkambi ishte personi që hapi pak javë më parë një fushatë GoFundMe për të mbledhur fonde në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit, duke u prezantuar si familjar i tyre. Fushata kërkonte mbështetje financiare për “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur”, ndërsa arriti të grumbullonte mbi 8000 dollarë.
