“Direkt 20.000 euro dhe të thotë do jesh ushtari im”, Karamuço zbulon si krimi po josh policët: Ka emra me 20 apartamente

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka treguar se si grupet kriminale po joshin efektivët e policisë, i ftuar në “EuronewsAlbania’ ai ka treguar rrugën që ata po ndjekin, teksa u shpreh se shkak kryesor është pagesa e ulët e efektivëve. Sipas tij, krimi u jep policëve shuma të mëdha parash dhe kjo i josh ata të jenë në shërbim të tyre. Madje sipas tij, ka shumë efektivë që ditën janë policë e natën shoferë të bosëve të krimit.

-Cili është mekanizmi? Si futet krimi brenda policisë? Pra si arrin ta gjejnë gjuhën njeri me tjetrin? Pra ka të bëjë rekrutimi, karriera, presioni politik? Pra çfarë lidhje ka dhe politika këtu?

Karamuço: Fillimisht afrohen si rrethe shoqërore. Kjo është faza e parë. Po, miq, nga lagjja, krushqi. Jemi vend i vogël dhe normalisht njihemi. Dhe pastaj fillojnë këto, ekzagjerimet e komunikimeve, e për çështje të vogla të një interesi, më merr pak vesh çfarë bëhet aty e të tjerë e të tjerë. Pastaj fillojnë dhuratat. Nuk kalohet detyrimisht në listë page. Pra fillon joshja me… Një celular i mirë, diçka, po që bie në sy të eprorëve ajo, sepse një polic me 700.000 lekë rrogë, ku i gjeti filan celular, pse vishet kështu e të tjerë e të tjerë.

Po kjo ende nuk është bërë një praktikë në punën e policisë tonë, qoftë edhe për t’i hetuar këta efektivë. Që ku, nga e kanë këtë burim të ardhurash? Se këta po na dalin mbas 20 vjetëve, eksperiencë pune që kanë nga 20 apartamente, dy vila e një hotel. Pra, duhet bërë kjo herë pas here. Është lënë në mes ai vetingu i famshëm, ju e mbani mend. Madje u bë i selektuar për një kategori të caktuar, jo për të gjithë policinë e shtetit. Pra jo për 12.000 efektivët. Dhe për mua është gabim sepse duhet hetuar herë pas here për raste të veçanta. Sepse po u infektua njëri, pastaj fillon dhe infekton dhe të tjerët brenda një strukture të veçantë ose struktura të ngjashme ku ai ka kolegët e vet.

E pastaj bëhet marrëveshja, ajo që është niveli më i lartë, marrëveshja që ti do punosh për mua. Ti do punosh për mua, e para do marrësh pak për informacionin që më jep, e dyta mbaron orarin zyrtar dhe hajde viju në shërbimin tim. Qoftë si shofer, qoftë si bodyguard. Ne kemi shumë policë të ndershëm sot edhe të strukturave të speciale, të cilët mbarojnë atë orar zyrtar dhe i gjen roje të disa prej diskotekave, lokaleve e të tjerë e të tjerë. Pra bëjnë dhe një punë tjetër. Bëjnë punë, po nuk nuk i del me rrogë sepse është një problem shumë i madh rroga, që flitet shumë pak. Nuk e justifikon rroga korrupsionin, po rroga është qëllim në vetvete pse ata futen në polici, pavarësisht misionit që kanë, po është një rrogë qesharake. Dhe kjo arritje që është bërë tani, që flet për bruto, po të dali neto është e parëndësishme, 60, 70 mijë lekë të vjetra. Absolutisht. I keni parë si i kanë, se ju po i shikoni këtu uniformat. I keni parë si i kanë bërë uniformat? Që është, është uniforma më e shëmtuar që ka pasur këto 100 vite shtet policia e shtetit. Mirë, ndoshta kjo është pjesë estetike. Po jo, po janë shumë kritere. Strehimi, kjo, ajo e të tjerë e të tjerë. Dhe këta bien shumë lehtë pre e këtyre. Sepse joshja është shumë e madhe.

Do thuash ti, a e kemi ne vetëm këtë joshje? Jo. Në portet e Roterdamit edhe të Anverpës, në në, Anverp në Belgjikë, ndërrohen çdo tre muaj. Pse? Korruptohen. Sa shkon ai rrogën direkt, 20.000 euro thotë, në muaj, do jesh ushtari im. Dhe është problem shumë i madh për prokurorët, siç na e shpjegonin. Pra nuk i kemi besë më policisë së këtyre zonave, sepse i korrupton krimi i organizuar. Tek ne, që rroga është shumë herë më e ulët sesa në këto vende, patjetër.

Next