Të dyshuarit kryesorë në këtë rast duket se kanë precedent penal për trafik të organizuar droge dhe besohet se janë aktivë brenda rrjeteve kriminale shqiptare…
Tetë persona janë arrestuar nga autoritetet belge, pasi akuzohen se kishin planifikuar një atentat ndaj Prokurorit Publik të Brukselit, Julien Moinil. Grupi që planifikoi atentatin dyshohet se i përkasin bandave kriminale shqiptare që operojnë në Bruksel.
Sipas një deklarate nga Zyra e Prokurorit Publik Federal tetë presona u arrestuan pas disa kontrolleve policore në të gjithë Belgjikën. Gjithsej janë kryer 18 kontrolle, kryesisht në Bruksel, por edhe në Leuven dhe vende të tjera të pazbuluara.
Të dyshuarit e ndaluar po merren në pyetje aktualisht. Një gjyqtar hetues do të përcaktojë nëse ata do të mbeten në paraburgim.
Zyra e Prokurorit Publik Federal u informua për komplotin e mundshëm për të sulmuar Moinilin në korrik 2025. Një hetim gjyqësor u nis për këtë çështje.
Të dyshuarit kryesorë në këtë rast duket se kanë precedent penal për trafik të organizuar droge dhe besohet se janë aktivë brenda rrjeteve kriminale shqiptare.
Hetimi është kryer nga Policia Federale Gjyqësore e Brukselit nën drejtimin e një gjyqtari hetues të Brukselit. Disa magjistratë të Zyrës së Prokurorit Federal gjithashtu kanë ndjekur hetimin.
Zyra e Prokurorit Federal vuri në dukje se, në këtë fazë, nuk mund të konfirmojë ose hedhë poshtë komplotin e mundshëm për të sulmuar Prokurorin e Brukselit.
“Ky hetim tregon edhe një herë domosdoshmërinë absolute për të mbrojtur më mirë oficerët e policisë dhe magjistratët që luftojnë krimin e organizuar çdo ditë dhe të cilët, si rezultat, bëhen shënjestra të këtyre organizatave”, tha Prokurorja Federale Ann Fransen në një deklaratë.
Sipas Fransen, është ngritur një grup pune për të përgatitur punën legjislative për të përmirësuar mbrojtjen e oficerëve dhe magjistratëve.
