Mesditën e 18 nëntorit të një viti më parë, vendi do të tronditej nga një lajm i rëndë.
Një sherr mes disa nxënësve në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, përfundoi tragjikisht me një 14-vjeçar të vrarë, e një tjetër të plagosur. Martin Cani do të humbte jetën nga një goditje me thikë në zemër, të cilën e kishte marrë nga një bashkëmoshatar i tij, Mario Përlleshaj. I plagosur ndërkohë do mbetej shoku i Martinit, 14-vjeçari Luis Meçja.
Sot mbushet plot një vit, por prindërit e Martinit ende nuk e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur atë ditë.
Sipas asaj që dihet dhe nga njoftimet zyrtare të autoriteteve, sherri ka nisur nga disa përplasje të vogla mes Martinit dhe Marios në shkollën ku të dy ndiqnin mësimin, e më pas ka vijuar në rrjetet sociale. Gjithashtu ka patur raportime se Mario Përlleshaj ishte i bullizuar, por deri më sot, gjithçka mbetet në fazën e dyshimeve.
Krimi i rëndë ndodhi vetëm pak metra larg shkollës 9-vjeçare. Djemtë u takuan në oborrin e shkollës dhe pas kësaj kanë shkuar në një rrugicë për t’u sqaruar. Bashkë me Marion, Martinin dhe Luisin ishin dhe disa nxënës të tjerë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga prokuroria për rolin e tyre në ngjarje.
Sipas dëshmisë së Luis Meçes, kur të gjithë djemtë kanë shkuar në vendin e takimit, sherri mes tyre ka agravuar. Ai tregon se një shok i Marios, një djalë me flokë të gjata, e goditi pas shpine. Teksa Luisi po përplasej fizikisht me shokun e Marios, ky i fundit po zihej me Martinin. Sipas Luisit, në një moment, Mario nxori thikën dhe po godiste Martinin në zemër.
Luisi shton se ai u nis ta mbronte atë po një burrë e kapi atë dhe e ngriti në ajër. Këtu qëndron dhe misteri, pasi në deklaratën e prokurorisë, nuk përmendet asnjë person i rritur si i përfshirë në ngjarje dhe duket se kjo dëshmi e 14-vjeçarit që mbeti i plagosur nuk është marrë për bazë.
E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi për pak minuta dhe djemtë u fiksuan nga kamerat e sigurisë në zonë teksa dilnin me vrap nga zona ku ndodhi krimi. Mes tyre, shihej Martin Cani që dilte i fundit dhe mbante dorën në kraharor, dukshëm i plagosur. Ai u dërgua në spital nga dy qytetare që u gjendën rastësisht në vendngjarje, por fatkeqësisht, pa mundur të mbijetojë.
Ndërkohë ngjarja do rëndohej akoma më shumë, pasi autori Mario Përlleshaj do publikonte disa pamje të rëndë në rrjetet sociale.
Ai ka publikuar armën e krimit në “SnapChat”, pas sherrit tragjik. Në foto, shihej se 14-vjeçari ekspozonte dhe thikën me të cilën i mori jetën bashkëmoshatarit. Gjithashtu ai ka publikuar pamjet e dorës së tij të plagosur. Nuk mungonin as kërcënimet dhe ofendimet.
Tashmë Mario Përlleshaj është i arrestuar dhe po qëndron në qendrën e paraburgimit për të mitur në Kavajë. Ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën, duke këkruar 25 vite burg për të. Ndërkohë, vetë Mario dhe avokatët e tij, vijojnë të hedhin poshtë autorësinë duke pretenduar se nuk është Mario autori i krimit.
Nën hetim për ngjarjen janë dhe 3 zyrtarë të shkollës, një mësuese, psikologia dhe një punonjës tjetër, të akuzua për neglizhencë pasi dyshohet se kishin dijeni për mosmarrëveshjet mes të miturve dhe nuk kanë ndërhyrë.
Vrasja e Martin Canit, Prokuroria e Tiranës kërkon 25 vite burg për autorin 14-vjeçar
Ndërkohë, sot në orën 13:00, prindërit, shokët e klasës, aktivistë dhe qytetarë pritet të mblidhen në shkollën “Fan Noli” për të përkujtuar Martinin, por dhe për t’i kujtuar shoqërisë që të mos e harrojë këtë ngjarje të rëndë. Për Martinin ende nuk shstë vendosur drejtësi, e mbi të gjithë ende nuk u është dhënë përgjigje shumë pyetjeve.
Së pari, çfarë ndodhi saktësisht në ato pak minuta në vendin e krimit? Kush janë personat e përfshirë dhe a ka qenë një i rritur dëshmitar i ngjarjes? Pse stafi i shkollës nuk ka bërë ende edhe pas një viti një reagim mbi ngjarjen?
Këto e shumë të tjera duhet të zbardhen!
