Këngëtari i njohur Mentor Haziri ka tronditur banorët dhe publikun duke u larguar nga shtëpia e “Big Brother VIP Kosova 4” vetëm pak më shumë se 24 orë pas hyrjes së tij.
Edhe pse fillimisht u duk se shkaku ishte mos-përshtatja me izolimin, arsyeja e vërtetë fsheh një tragjedi familjare që e ka rënduar emocionalisht artistin.
Haziri mblodhi të gjithë banorët në dhomën e ndenjes për t’u komunikuar vendimin e tij të pakthyeshëm, duke shpjeguar mes dhimbjes se sapo kishte humbur një familjar të afërt.
Ai u shpreh: “Siç e dini, kam humbur djalin e dajës, dhe e kam varrosur një ditë para se të vija këtu. Kam mendu që do ta kaloj, e kam mbajt fjalën dhe besën, kam ardh, sepse kështu meriton një produksion i tillë. Mendova që do të ia dal, por nuk munda.”
Pas këtij rrëfimi prekës, banorët e përlotur e kanë ngushëlluar dhe përshëndetur këngëtarin. Dhimbjen e madhe Mentori e kishte shprehur edhe më parë përmes një postimi në rrjetet sociale për kushëririn e tij, Kushtrimin:
“Kushtrimi, djali i dajës, na la e na tronditi të gjithëve sot. Një djalë shembullor, një artist e regjisor me një kontribut të madh në teatrin e Ferizajt e komunitetin tonë artistik… Të pushoftë shpirti në parajsë, Kusho”.
