“Frymëmarrje” për Armando Brojën: Vjen lajmi i mirë nga Anglia

Armando Broja edhe në ditët e tij jo të mira, është një personazh që mbetet në qendër të vëmendjes. Në përballjen e fundit ndaj Anglisë, ai ishte pika e diskutimit edhe për gazetarët anglezë duke qenë së luan në Premier League.

Sulmuesi i Burnley u aktivizua vetëm në minutën e 75-të në ndeshjen ndaj 3 Luanëve ku në ato minuta që u aktivizua, u duk shumë i motivuar, për të bërë një figurë të mirë. Por mesa duket gjendja e tij psikologjike, për momentin, nuk është më e mira dhe është ajo që ndoshta po i kthehet në pengesë.

Si për të konfirmuar momentin e keq të tij, Broja nuk arriti as ta mbyllë ndeshjen, pësoi një dëmtim duke dalë nga fusha me barelë dhe me ankthin se cili do të ishte problemi i tij i ri fizik.

Në fakt, gjërat nuk duken aq keq sa u menduan në fillim dhe mediat angleze, raportojnë se paraditen e djeshme Broja është rikthyer te Burnley. Sulmuesi shqiptar ka kryer një kontroll mjekësor me mjekët e klubit.

Për fatin e mirë, nuk do të ketë asgjë për t’u shqetësuar, pasi kontrollet e mëtejshme ndaj tij konfirmojnë për një ndrydhje të kaviljes, që do ta mbajë atë vetëm pak ditë jashtë fushe. Bëhet fjalë për një dëmtim që rikuperohet brenda 4-5 ditësh.

Kështu që, Broja do të mund të jetë në dispozicion të trajnerit të Burnley-t shumë shpejt për të vazhduar sezonin normalisht.

Next