Një tjetër episod misteri dhe tensioni i brendshëm po qarkullon në Rusi, pasi mediat pro-Kremlinit pretendojnë se objektivi i një atentati të dështuar ka qenë Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Sergei Shoigu, i cili deri para pak kohësh ishte ministër i Mbrojtjes. Deri më tani, autoritetet zyrtare nuk e kanë konfirmuar këtë emër, por raportimet e reja po nxisin debat të gjerë.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) njoftoi të premten se kishte zbuluar një komplot ndaj një “zyrtari të lartë” ndërsa ai ndodhej në varrezat Troyekurovskoye në Moskë, gjatë një vizite në varrin e një familjari. Agjentët e sigurisë thanë se kishin gjetur një kamerë të fshehur brenda një vazoje me lule, e vendosur për të monitoruar lëvizjet e zyrtarit.
Gazeta Moskovsky Komsomolets, pa përmendur burime specifike, raportoi të hënën se personi i synuar ishte pikërisht Sergei Shoigu, ish-Ministër i Mbrojtjes i zëvendësuar në vitin 2024 nga Andrei Belousov.
Deputeti i Dumës, Andrei Kolesnik, e quajti ngjarjen pjesë të një “fushate më të gjerë për destabilizimin e Rusisë”. “Shoigu është një figurë me ndikim. Qëllimi është presioni ndaj vendit tonë, nxitja e panikut,” u shpreh ai.
Ndërkohë, autoritetet ligjzbatuese nuk kanë komentuar ende mbi pretendimet e gazetës.
Sipas FSB-së, inteligjenca ukrainase dyshohet se ka rekrutuar një çift rus, një emigrant të paligjshëm nga Azia Qendrore dhe një banor të Kievit, Jaloliddin Shamsov, për ekzekutimin e atentatit. Të tre personat brenda territorit rus janë arrestuar, ndërsa ende nuk është bërë e qartë se çfarë akuzash specifike do të përballen.
Media shtetërore publikoi edhe një video ku gruaja ruse e arrestuar pranon se i ishte premtuar një sasi droge nga një person i quajtur Ruslan, në këmbim të vendosjes së kamerës së fshehur në varreza. Nuk dihet nëse rrëfimi është bërë nën presion apo jo, pasi identiteti dhe mosha e saj nuk janë bërë publike.
FSB ndërkohë ka lëshuar urdhër arresti për Shamsov, i cili kërkohet për trafik të paligjshëm armësh dhe vrasje, e lidhur me një ngjarje të vitit 2021 në Bashkortostan.
Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, disa zyrtarë rusë dhe figura pro-Kremlinit janë vrarë brenda Rusisë dhe në territoret e pushtuara, duke shtuar dyshimet për përplasjet e brendshme dhe rritjen e kërcënimeve në nivelet më të larta të shtetit.
