Nga “Liria me Kusht” sërish në botën e krimit, si i lanë qelitë “të fortët” përmes raporteve fiktive

Drejtësia, nuk ka si qëllim bazë ndëshkimin e personave që kryejnë krime, kryesorja është rehabilitimi dhe riintegrimi i tyre në shoqëri. Një nga mekanizmat e parashikuar nga Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale është “Lirimi me Kusht”, i cili supozohet të jetë një instrument i përdorur për të shpërblyer sjelljen e mirë dhe rehabilitimin real të një të burgosuri.

Në teori, një i dënuar që ka shlyer një pjesë të dënimit dhe ka treguar përmirësim në sjellje, mund të lirohet nën mbikëqyrje për të vazhduar jetën si qytetar i rregullt. Ky hap hidhet në momentin që vërtetohet se dënimi e ka arritur qëllimin rehabilitues dhe autori veprës penale nuk ka ide kriminale.

“Çdo sistem drejtësie veçanërisht kur verifikon që subjekti të jetë rehabilituar në aspektin e mbërritjes, të qëllimeve të dënimit siç është korrigjimi i tij si njeri dhe qëllim i kthimit të tij i shëndetshëm në shoqëri dhe pa prirjen e realizimit të një vepre penale të caktuar dhe tek kjo është arritur dhe provohet si e tillë nga autoritet e vuajtjes së dënimit që mbikëqyri periudhën e subjektit kur duhet të jetë i kufizuar pse jo të jepet mundësia e daljes dhe hyrjes në shoqëri i korrigjuar më herët se sa ishte verdiktuar nga gjykata”, u shpreh avokati Ardian Visha.

“Dhe nëse këto sjellje janë rigoroze dhe ky ka pasur përmirësime në te gjitha mendimet e veta atëherë edhe mund të aplikohet lirimi para kohe me kusht”, u shpreh Bledar Meminaj.

Megjithatë, në realitetin shqiptar, lirimet me kusht janë transformuar në një derë të hapur për të lehtësuar daljen e eksponentëve të rëndësishëm të krimit të organizuar. Shumë prej tyre kanë përdorur një sërë mekanizmash, që nga raportet e falsifikuara mjekësore, tek manipulimi i dokumenteve dhe pagesat korruptive, për të siguruar një liri të parakohshme.

“S’mund të them a janë intimiduar a ka pasur ndërhyrje nuk e di, sigurisht që ka presion për t’u liruar se kush nuk e do lirinë, liria është gjëja më e shtrenjtë, por nga ana e stadimit të kësaj dispozite nga gjykata nuk mund të them . Di që ka pas raste që një që kanë kaluar, sepse kalojnë në apel dihet , ne nuk jemi pjesë, nuk kemi të drejtë si staf si drejtori burgjesh ankimim, kjo është një e drejtë e prokurorit”, u shpreh zv.drejtori i burgjeve, Fehmi Sufaj.

“Sfida e inspektorit është identifikimi i shkelje disiplinore të magjistratëve në raport me politikën penale që ka ndjekur Kuvendi në miratimin e akteve penale por edhe me zhvillimin dhje zbatimin e jurisprudencës së gjykatave të vendit”, u shpreh drejtuesi i ILDS Artur Metani.

Pas daljes nga burgu, këta individë të botës së krimit nuk i janë kthyer jetës normale. Përkundrazi, ata janë bërë më të fuqishëm, duke thelluar ndikimin e tyre në krimin e organizuar dhe duke përforcuar lidhjet me segmente të caktuara të politikës, drejtësisë apo institucioneve ligj zbatuese. Pra, shtegu ligjor është përdorur në mënyrë korruptive për rikthimin e të fortëve në liri dhe aktivitet kriminal.

Për këtë fakt sistemi gjyqësor shpesh ka qenë në qendër të kritikave për mënyrën se si disa të dënuar për vepra të rënda penale arrijnë të përfitojnë liri me kusht. Ligji penal shqiptar dhe akt-ekspertizat mjeko-ligjore kanë shërbyer si mekanizma që u kanë hapur rrugën disa të dënuarve VIP për të dalë nga burgu para kohe. Kjo rikthyer një debat të madh mbi drejtësinë dhe efektivitetin e sistemit penal në vend.

“Mund te ketë pasur raste që edhe pse qëndrimi i stafit ka qenë për t’u refuzuar lirimi me kusht për shkak se nuk është arritur maksimumi sipas parashikimit ligjor një sjellje apo një në aspektin rehabilitues, por ka pasur raste që gjykata edhe i ka tejkaluar këto’, u shpreh Fehmi Sufaj.

“Për mua nuk duhet te ishte me ky institucion por duhet të liberalizohet nga pikëpamja e mundësisë institucionale dhe te intensifikohet nga pikëpamja e dijeve subjekti qe duhet te marrë cilësinë e ekspertit për përcaktimin e sëmundjes”, u shpreh avokati, Ardian Visha.

I forti i Durrësit u lirua me justifikimin e sëmundjes, por u arrestua sërish për një krim të rëndë

I forti Indrit Taullai është një tjetër shembull se si “problemet shëndetësore” janë kthyer në një argument të zakonshëm për të fituar lirinë.

Në vitin 2016, avokati i tij, Alban Bengasi, paraqiti një raport nga Spitali i Burgut, sipas të cilit Taullai ndodhej në “gjendje tepër të rëndë shëndetësore” për shkak të një “sindromi koronar akut”.

Por pavarësisht konstatimit të mjekëve, si Gjykata e Elbasanit ashtu edhe ajo e Apelit Durrës e rrëzuan kërkesën për lirim të Indrit Taullait me argumentin se nuk plotësoheshin kushtet për të fituar lirinë.

Taullai nuk e la me kaq, ai ju drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, e cila më 29 qershor, vendosi të rrëzojë dy vendimet gjyqësore të shkallëve më të ulëta, duke i dhënë të drejtë kërkesës për lirim të anëtarit të së ashtuquajturës “Bandë e Durrësit”.

“Gjykatat e themelit kur gjykojnë kërkesa që kanë të bëjmë me mbrojtjen e së drejtës themelore të jetës, nuk mund të përdorin arsyetimin e rasteve analoge për të vendosur rrëzimin e kërkesës me objekt të tillë, pasi çdo rast është i lidhur me kushtet shëndetësore, gjendjen e të sëmurit, dhe rrethanat e tjera personale dhe të veçanta që ndryshojnë rast pas rasti”.

Taullai nuk u e shijoj lirinë për shumë vite. Pavarësisht se emri i tij nuk u lakua shpesh në ngjarje kriminale, ai në vitin 2023 u arrestua me urdhër të SPAK si i përfshirë në vrasjen e Klodian Saliut, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.
Rastet e lartëpërmendura tregojnë se sistemi i drejtësisë, i cili duhet të jetë një forcë për të mbrojtur shoqërinë, po shfrytëzohet si një mekanizëm çlirimi për individë që vazhdojnë të kontribuojnë në thellimin e krimit të organizuar.

‘Në përgjithësi thashë që gjykata është referuar dhe ka marre si provë formatin, raportin e stafit të burgut dhe kur raporti ka qenë negativ, ka pasur raste shumë të rralla që gjykatësi ka miratuar liri me kusht se nuk ka qenë i miratuar nga ana e stafit’, u shpreh Fehmi Sufaj, ZV.Drejtor i Burgjeve.

“Deluzione dhe sjellje vetëdëmtuese”, si fitoi lirinë i forti i Shijakut përmes ekspertizës mjeko-ligjore fiktive

Një tjetër rast që pasqyron mënyrën se si lirimet me kusht janë përdorur si portë dalëse për kriminelët e njohur është ai i Astrit Avdylajt, kreu i bandës së Shijakut.

Në vitin 2017, Avdylaj arriti të fitonte lirinë falë një ekspertimi mjeko-ligjor, ku diagnostikohet me “Depresion Endogjen” dhe shenja të vetëvrasjes.

Sipas këtij raporti, gjatë qëndrimit në burg, Avdylaj shfaqte simptoma të rënda psikiatrike, përfshirë deluzione dhe sjellje vetëdëmtuese. Bazuar në këto gjetje, gjykata e Lartë vendosi lirimin e tij.

Në vendim thuhet se ekspertiza vërteton faktin që të dënuarit i rrezikohet jeta në qeli. Ajo provë ka ndikimin kryesor për vendimin final të lirisë.

Në kushtet kur prova shkencore arrin në përfundimin kategorik se personit të dënuar i rrezikohet jeta, vlerësimi i realitetit të rrezikut, i gravitetit të gjendjes, dhe mos reagimi i personit ndaj trajtimit mjekësor janë të gjitha elementë që duhet të përcaktohet nëpërmjet provës shkencore dhe jo sikundër ka vepruar në rastin konkret gjykata e themelit, duke i prezumuar të mirëqena mungesën e këtyre elementëve, duke e rrëzuar kërkesën mbi bazën një arsyetimi jo të hollësishëm e të detajuar.

Sapo doli nga burgu, Avdylaj jo vetëm që nuk kishte nevojë për trajtim mjekësor, por përkundrazi, mori kontrollin dhe drejtimin e grupit kriminal të Shijakut, duke u përfshirë në veprimtari të rënda. Ai u bë një figurë kyçe në organizimin e aktiviteteve kriminale, duke përdorur rrjetet e tij për të ndikuar edhe në skenën politike shqiptare siç rezultoi më pas.

“Nisja e një hetimi disiplinor nuk është çështje emocioni, është çështje ligji është çështje standardi të shtetit të së drejtës. Dhe ky institucion ka këtë rol të ruajë balancën mes interesit publik për të parë se si e administron drejtësinë një gjyqtar dhe prokuror nga njëra anë dhe nga ana tjetër pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendimmarrjet e veta, ndarjen e pushteteve”, u shpreh drejtues i ILD, Artur Metani.

Next