Evarist Beqiri
“…der sa mos t’shkimin hana diellit
e mramja cirkë m’oqean k’thellët mos t’shtrasë,
emini i atij burri që për Atme,
la agam n’fis të vet, a’j për her gjallon e Deka,
mi të pushtet nuk ka.”
Gjergj Fishta
Nëse një komb harron të shkuarën, ai shkatërron të ardhmen. Prandaj vlen që të ndalemi pak te momentet vendimtare që kanë ndikuar historinë tonë. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Fuqitë e Mëdha të kohës, AustroHungaria, Gjermania, Italia, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe, pavarësisht interesave të ndryshme, luajtën një rol vendimtar në formësimin e hartës së re të Ballkanit. Britania, veproi me kujdes duke ndjekur politikën e ekuilibrit për të mbrojtur pozitat e saj në Mesdhe. Nga ana tjetër, Gjermania, megjithëse e pa interesuar drejtpërdrejt për çështjen shqiptare, mbështeste politikën e Vjenës në Ballkan. Italia, e shtyrë nga ambiciet e saj kolonialiste për ekspansion në tokat shqiptare, sillej me luhatje. Ajo kishte pretendime herë për çështje prestigji e herë për interesa strategjike. Ndërkohë, Fuqitë Ballkanike kishin aspirata të ndryshme, të cilat bashkoheshin në një pikë, copëtimi i Shqipërisë. Ëndrra e Serbisë ishte sigurimi i një dalje në detin Adriatik përmes territoreve shqiptare. Ndërsa, Mali i Zi dëshironte që të bënte të vetin qytetin strategjik të Shkodrës. Greqia, nga ana tjetër, dëshironte Shqipërinë e Jugut. Dokumentet arkivore të kohës përshkruajnë jo vetëm pretendimet e tyre territoriale, por zbulojnë gjithashtu një mozaik kompleks negociatash, marrëveshjesh të fshehta dhe manovrash politike. Aty spikasin lojërat diplomatike që pasqyrojnë me saktësi atmosferën gjeopolitike të kohës. Kufijtë e sotëm, u vendosën bazuar kryesisht tek pazaret midis Austro-Hungarisë e Rusisë. Rusia cariste, si mbrojtëse tradicionale e sllavëve të jugut dhe e ortodoksisë, e shihte shpërbërjen e Perandorisë Osmane, si një mundësi të artë për të zgjeruar ndikimin e saj nëpërmjet aleatëve sllavë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ajo kundërshtonte çdo projekt që pengonte daljen e Serbisë në Adriatik, përfshirë krijimin e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj natyralë. Në thelb, Rusia nuk ishte kundër ekzistencës së një entiteti shqiptar, por e donte atë të kufizuar dhe të dobët, sa për të mos penguar ambiciet e aleatëve të saj. Franca, nga ana tjetër, lëvizi në sinkron me Rusinë, pasi të dyja ishin pjesë e Antantës. Interesat e saj në Ballkan nuk ishin aq të drejtpërdrejta sa të Londrës apo Vjenës, por më tepër të lidhura me aleancat evropiane. Për këtë arsye, Parisi ndoqi një qëndrim diplomatik të kujdesshëm, shpeshherë duke mbështetur kërkesat serbe e greke në tavolinën e bisedimeve, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit brenda Antantës.
KRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR
Në këtë panoramë, krijimi i shtetit shqiptar nuk ishte rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të Fuqive të Mëdha, por i një kompromisi të ftohtë austro-rus, një lloj “marrëveshjeje sui generis”, ku secila palë pranoi ekzistencën e Shqipërisë vetëm për të mos lejuar tjetrën të zgjerohej më tej. Kështu, lindi Shqipëria. Ajo nuk ishte produkt i një vullneti të madh politik ndërkombëtar, por fryt i një ekuilibri të frikës, në një Ballkan që përjetonte përplasjen midis pangjermanizmit dhe pan-sllavizmit. Britania e Madhe, ndryshe nga Austro-Hungaria, Rusia apo Italia, nuk kishte synime territoriale në Ballkan. Interesat e saj ishin kryesisht gjeostrategjike dhe detare. Ajo donte që të ruante kontrollin mbi rrugët e komunikimit detar drejt Kanalit të Suezit. Të parandalonte shtrirjen e ndikimit rus në Mesdhe dhe të mbante ekuilibrin midis Fuqive të Mëdha për të shmangur një dominim të vetëm në rajon. Në këtë kuadër, Londra e shihte Ballkanin si zonë tampon, ku çdo lëvizje e tepruar e Vjenës apo e Shën Petersburgut duhej balancuar. Ajo ishte e interesuar që as Austro-Hungaria, as Rusia të mos siguronin dalje të qëndrueshme në Mesdhe. Kjo e çoi diplomacinë britanike drejt një politike të ekuilibrit të kujdesshëm, duke mbështetur zgjidhje kompromisi dhe shpesh duke ndërmjetësuar për të mos lejuar asnjë Fuqi që të bëhej dominuese.
Në rastin e Shqipërisë, kjo u përkthye në pranimin e një shteti të pavarur, neutral dhe të dobët, që do të shërbente si pengesë natyrore ndaj ambicieve ruse dhe sllave drejt Adriatikut. Për ta përmbledhur, ndryshe nga Britania, Austro-Hungaria kërkonte dalje në det dhe kontroll mbi rrugët tregtare të Ballkanit perëndimor. Rusia kërkonte dalje në ujërat e ngrohta dhe mbrojtjen e sllavëve ortodoksë. Italia kërkonte pozita të përhershme në Adriatik dhe në brigjet shqiptare. Gjermania e shihte rajonin si fushë ndikimi të aleates së saj Vjenës. Ndërsa Franca ndiqte më shumë linjën e Rusisë për të ruajtur unitetin e Antantës. Në këtë mozaik interesash, Britania e Madhe luajti rolin e arbitrit, duke mos kërkuar fitore të dukshme, por duke ndërtuar ekuilibra që garantonin interesat e saj globale. Megjithatë, do të gaboheshim rëndë nëse do të anashkalonim forcën e brendshme të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke mëshuar vetëm në ndikimin e forcave të jashtme. Njësoj, siç do të gabonim rëndë po ta vlerësonim një ajsberg vetëm nga pjesa e tij e dukshme. Në atë periudhë, pikëpamja mbizotëruese ndër kancelaritë evropiane të kohës ishte ajo e “shpërblimit me territore”.
PËRPLASJET DIPLOMATIKE
Është e qartë se në përplasjet diplomatike të kohës nuk kishte pozicione të pandryshueshme. Gjithçka mund të negociohej dhe çdo interes mund të sakrifikohej në emër të një kompromisi të përkohshëm. Dokumentet arkivore dëshmojnë se, kjo u bë veçanërisht evidente gjatë diskutimeve për të ardhmen e Shkodrës. Austro-Hungaria, ndonëse mbështetëse e pozicionet shqiptare, tregoi gatishmëri për ta lëshuar qytetin në favor të Malit të Zi, nëse do të sigurohej kontrolli mbi qafat dhe grykat strategjike të Llofçenit pranë Kotorit, ku ndodhej edhe flota e saj ushtarake. Në fund, u sakrifikua Gjakova, për të mbajtur Shkodrën. Të njëjtën skemë pazari gjejmë edhe për qytetin tjetër shqiptar me rëndësi strategjike kyçe në Mesdhe, Vlorën. Për Vlorën, kishin interes si Italia, ashtu edhe Austro-Hungaria.
Merita e jashtëzakonshme diplomatike e Ismail Qemal Vlorës, ishte aftësia për ta shndërruar çështjen shqiptare nga një kauzë periferike e diplomacisë europiane, në një kauzë qendrore nga e cila varej e ardhmja e vetë Europës. Nëpërmjet, komunikimit publik dhe lobimit në qendrat kryesore të diplomacisë europiane, ai arriti të ndërgjegjësonte politikën dhe opinionin publik europian, në favor të kauzës shqiptare. Veprimtaria e tij patriotike u intensifikua veçanërisht në dekadën e fundit para pavarësisë. Në vitet 1900-1912, ai jetoi në Bruksel dhe veproi në qendrat e politikës europiane. Ismail Qemali punoi me qëndrueshmëri për ndërgjegjësimin e opinionit publik europian për kauzën shqiptare. Njëkohësisht, duke i sensibilizuar si për rrezikun e pansllavizimit, ashtu edhe atë të pan-gjermanizmit.
INTERVISTA E ISMAIL QEMALIT
Një dëshmi e këtij fakti është intervista e Ismail Qemalit për gazetarin e shquar italian Vittorio Vettori, “Il Giornale d’Italia”, më 16 gusht 1903. Gazetari e përshkruan Ismail Qemalin si një patriot shqiptarë prej lindjes dhe prej shpirtit. Ismail Qemali flet aty për rëndësinë e njohjes së kombit shqiptar dhe bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Ai thekson rëndësinë e ndërtimit të një Shqipërie të fortë. Kjo do të shmangte ndërhyrjen europiane në Ballkan dhe do të ndikonte në ruajtjen e stabilitetit të vetë Europës. Ismail Qemal Vlora manovroi me kujdes në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe me rreziqe të shumanshme. Ai punoi për të shpëtuar çfarë ishte ende e mundur nga trojet shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, e futi çështjen shqiptare në logjikën e shtetformimit modern. Ndërkohë, Ismail Qemali shikohej si nga Austro-Hungaria, po edhe nga Fuqitë e tjera, si një diplomat i matur e me përvojë të gjatë, por njëherësh i rrezikshëm. Ai ishte një njeri e pavarur. Austro-hungarezet ishin të bindur se ai nuk do të ndiqte verbërisht direktivat e Vjenës apo kujtdo tjetër. Austro-Hungaria mbështeste krijimin e Shqipërisë, si pjesë e strategjisë së saj për të penguar daljen e Serbisë në Adriatik dhe për të ruajtur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Mbështetja, ndonëse e kushtëzuar dhe jo pa llogaritje gjeopolitike, ishte një faktor me rëndësi në formësimin e rrethanave që bënë të mundur shpalljen e Pavarësisë. Nga ana tjetër, realiteti pas shpalljes së pavarësisë ishte i ngarkuar me sfida të jashtme dhe përçarje të brendshme. Një dokument i konsullit austro-hungarez në Durrës, dërguar Vjenës, më 26 korrik 1913, shkruan ndër të tjera se, Partia Esadiste është një parti antiqeveritare. Por, duhet theksuar se në atë moment kyç të historisë së Shqipërisë, kur nevojitej më tepër se kurrë bashkimi, Partia Esadiste nuk ishte thjesht dhe vetëm një parti antiqeveritare. Ajo mbante gjallë frymën antikombëtare.
FRYMA ANTIKOMBËTARE
Fryma antikombëtare e Partisë Esadiste lindi së bashku me shtetin e ri shqiptar. Kjo e keqe e madhe vazhdon që të mbahet gjallë edhe sot prej atyre që vendosin interesin personal dhe partiak, para interesit kombëtar. Prej atyre që vendosin partinë, para Shqipërisë. Kultura jonë e mbrapshtë politike, e ngatërron shpesh kufirin midis debatit normal politik dhe shenjtërisë së interesit kombëtar. Ferrat e vatanit e ngatërrojnë misionin me interesin. Qemal Karaosmani rrëfen se Ismail Qemali e thirri në Vlorë dhe e bëri ministër të Brendshëm Esat Toptanin, për hir të bashkimit kombëtar: “Esat Toptanit në Vlorë nuk ju duk ndonjë shenjë kundërshtimi me Ismail benë, një ditë i lypën leje lsmail Beut, që të vendte në Tiranë se kishte punë private dhe të bante the inspektim ndër ato krahina. Kështu iku në Tiranë e nuk u kthye ma në Vlorë. Në fund shpalli edhe Vetqeverim të Shqipnisë së Mesme me një kabinet nën kryesinë e tij, domethanë, mendimi i intelektualëve u realizua. Atëherë kishte fjalosë me disa që ishin kundërshtarët e Ismail Qemal beut i pata thanë se ç’bani kështu; pritni sa të rregullohet puna e të vinjë Mbreti i Shqiprisë, se Kabineti që asht sot, do api dorëheqjen dhe Mbreti do vejë një Kabinet që t’i pëlqejë, se asht turp e mëkat që, në vendin e Ismail beat të favorizoni Esat Pashën që nuk ka ndonjë farë kulture. Ata më thanë e Ismail beut s’kemi se çfarë t’i bajmë veçse të ketë një njeri të fuqishëm kundrejt Esat Pashës, që ta rrëzojmë nga fuqija. Me gjithë qi në çastin që duem e rrëzojmë. Ne e kuptuem, të ngratët, jo që s’e rrëzuen nga fuqija, pse ai i ngordhi me dru edhe i tuti nër thasët e i hodhi nër gorgat, Ja, pra dëshira e intelektualëve, që prodhojnë të kundërtën.
Si shpalli vetqeverimin e Shqipërisë së Mesme, Esat Pasha, e vojta një ditë që të firmojë ça akte ke Ismail beu. Tue lexue aktet, ngriti kokën e më tha: “E Qemal bei! E more vesht se Esat Pasha shpalli Vetqeverimin e Shqipërisë së Mesme?” “Po”, iu përgjigja. “A e mban mend kur më ke thanë nënpunsat që po emnon pa diplomë universiteti, të cilët konsiderohen prej kundërshtarvet si të pa zotë, se po bainë një përshtypje të keqe në popull e nër të huejët? Nashti erdhi koha që të t’ap përgjigjen; Nënpunsat që kam emnue simbas kohës e nevojës i di të aftë e të zotë. Kjo nuk bie ndonjë dam në fushën t’onë politike, por edhe sikur të jetë e vërtetë vetën ke kundërshtarët mund të bajë përshtypje; por tronditja ma e madhe e jetës sonë politike, kundrejt opinionit publik të botës mbarë, asht krijimi shpallja e Vetqeverimit të Shqipnisë së Mesme me një Kabinet tjatër prej kundërshtarvet. Kio i bije dam Shtetit, sepse bota e di që shqiptarët ja të bashkuem dhe, të gjithë, pa dallim feje përpiqen për të mirën e Atdheut të vet. Kurse krijimi i një Shqipnie të Mesme i ep të kuptojë gjithë botës së jashtme se shqiptarët nuk qënkan të bashkuem, se paskan tri Shqipni, e tri Qeveri, pse kur krijohet Shqipëria e Mesme, vetvetiu diktohet se janë tri Shqipni; e Mesmja, e Poshtmja dhe Sipërmja; domethanë se Vlora, Durrësi, Shkodra kanë nga një qeveri më vete. Nashti po të pyes ty: kush asht ma e damshme në jetën tonë politike; krijimi i tri Shqipnivet apo nënpunsate mi pa diplomë?””. Ju përgjigja: “Keni të drejtë sa malet Shkëlqesi, se krijimi Shqipërisë së Mesme na i qiti leckat në shesh mirë neve, mbrënda për mbrënda, po i dhamë shkak të kuptojë dhe bota e jashtme qi neve jo vetëm nuk jemi të bashkuem, por jemi dhe ambiciozë”. Qemal Karaosmai vijon më tej: “Mbasi u shpall Qeveria Esadiste, shumë njerëz u larguan e vojtën në Durrës, si z. Hasan Prishtina dhe të tjerë…”.
KUNDËRSHTIMI I ESAT PASHËS
Akoma më tej, Qemal Karasosmani tregon se: “Puna e kundërshtimi t’Esat Pashës po vazhdonte në buzën e Shkumbinit. Na lajmërojnë se ka ardhë një fuqi prej Esad Pashës e ka qëllim që të sulmojë Lushnjën. Kundra kësaj fuqije u dërgue i ndjeri Hysni Toska në buzën e Shkumbini në katundet e Çermavet që të ruante të mos hidheshin për këndej; në Qarkun e Lushnjës. Kjo situatë vazhdoi disa ditë dhe çast mbas çasti pritesh përleshja në mes dy fuqivet. Ismail beu, duke parë gjëndjen shumë të keqe, një natë mblodh Këshillin Ministruer e na tha, që situata asht shumë e keqe dhe mund të pëllcasi dhe një vllavrasje e të derdhet gjak. Po dëshëruet dhe ju, meqenëse edhe Princ Vedi u caktue si Mbret në Shqipni, deri sa të vinjë ay jam i mendimit që fuqinë shtetnore të Shqipërisë t’ia lamë në dorë kontroollorvet me konditë që të garantohen se edhe Esat Pasha t’api dorëheqjen e kështu kur të vinjë Mbreti të gjejë një Shqipni të bashkueme e në këtë mënyrë të pritet hovi gjaderdhjes në mes të shqiptarvet. Kur ne që të gjithë ishim gati, erdhën kontrollorët dhe Ismail beu proponoi mendimin e Këshillit. Ata thanë se, pa mos pyetë Mbretninë tonë nuk mundemi t’apim pëlqim ose garanci për dorëheqjen e Esat Pashës. Si të marrim përgjigje do ua komunikojmë vendimin a jo a po. Mbas disa ditëve erdhën kontrollorët e na komunikuan se e pranojnë proponimin e Ismail beut dhe garantohen që do ta detyrojmë doemos Qeverinë e Esat Pashë që t’api dorëheqjen. Me këto garantina të përfaqësuesve të gjashtë Mbretnivet të Mëdha t’Europës u dha dorëheqja e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës…”.
Ky fragment i dokumentuar tregon jo vetëm përçarjen e elitës kombëtare, por edhe sesi projektet politike për shtetin shqiptar zhvilloheshin paralelisht me lojërat ndërkombëtare të Fuqive të kohës. Pavarësia e shpallur nuk përkonte ende me ndërtimin e një shteti të bashkuar. Shumë territore me popullsi shqiptare, përfshirë Kosovën dhe Çamërinë, u sakrifikuan për të qetësuar ambiciet e fqinjëve dhe për të ruajtur ekuilibrat mes fuqive rajonale dhe globale. Ky realitet historik mbetet një dëshmi e hidhur për mënyrën se si fati i popujve të vegjël është vendosur shpesh jo në bazë të të drejtave legjitime, por në bazë të interesave strategjike të të mëdhenjve. Dhe megjithëse shpallja e pavarësisë në Vlorë ishte një akt i guximshëm dhe vendimtar, trashëgimia e ndarjes së territoreve shqiptare në tryezat diplomatike të Evropës vijon të lërë gjurmë në realitetin politik të rajonit sot e gjithë ditën. Paqja është e qëndrueshme, kur i forti është i drejtë. Ashtu si në fillim të shekullit XX, kur ekuilibri midis pan-gjermanizmit dhe pan-sllavizmit solli lindjen e shtetit shqiptar, edhe sot Britania e Madhe po kërkon që të rikthehet në Ballkanin Perëndimor, për të rivendosur balancën mes fuqive të reja. Historia duket se po përsëritet sërish. Në kontekstin bashkëkohor, kombet e vogla sërish përballen me sfida të mëdha. Nga influencat e jashtme, deri te presionet për të sakrifikuar sovranitet për “stabilitet”, mësimet e historisë së fillim shekullit XX, janë më aktuale se kurrë. Në një botë që vazhdon të jetë e ndarë mes interesave dhe realpolitikës, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët anembanë, duhet që të mos harrojnë se pavarësia është përgjegjësi. Pavarësia është një proces i vazhdueshëm që kërkon vigjilencë, përfaqësim të dinjitetshëm dhe mbrojtje të pandërprerë të interesit kombëtar./Gazeta Panorama
